Taksat e makinës tashmë mund të paguhen edhe online, në portalin qeveritar e-Albania, ku është shtuar edhe ky shërbim.
“Çdo qytetar, mjafton të ketë aplikacionin e-Albania në telefon apo kompjuter, të logohet aty dhe të shkojë te kategoria taksat e automjetit dhe të ndjekë hapat e pagesës, që janë shumë të shpejta, të menjëhershme. Numri i përfituesve është 157 mijë drejtues mjetesh, kjo është një risi dhe lehtëson jetën për qytetarët duke qenë se deri dje ofrohej vetëm në sportelet e Drejtorive rajonale të Drejtorisë së Shërbimit Rrugor. Kursehen kohë, para”, tha Endri Haxhiu, drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Detyrimi do të mbahet nga llogaria bankare e individit.
“Siguria është maksinmale. Aktorët përfshirë në këtë proces janë DPSHTRR, AKSHI dhe e-albania, të gjitha bankat që do të operojnë në këtë sistem janë të certifikuara për sigurinë kibernetike dhe sigurinë fizike të veprimeve”, sqaroi Haxhiu.
Në ditët në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor do të mundësojë edhe njoftimin me mesazh drejtuesit mjeteve për skadimin e patentës dhe të certifikatës së kontrollit teknik.