Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha nga takim me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës, tha se reforma e ndërmarr nga qeveria për pensionet do të garantojë rritje pensionesh edhe për këtë kategori.
Fjala e Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxh në takimin me ish-punonjës të Policisë, Gardës, AMP e MZSH:
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar ish-punonjës të Policisë, Gardës, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Shërbimit Zjarrfikës,
Të nderuar drejtues institucionesh,
Në vigjilje të festave të fundvitit, mblidhemi për t’u shprehur mirënjohjen më të thellë për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në shërbim të vendit dhe qytetarëve tanë. Shërbimi në radhët e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë kërkon sakrificë, përkushtim dhe një standard të lartë profesionalizmi, që ju e keni mishëruar ndër vite.
Policia e Shtetit është sot institucioni më i besuar dhe më i rëndësishëm për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Ky status nuk është thjesht një e dhënë statistikore; është një vlerë e ndërtuar mbi punën dhe sakrificat e atyre që kanë shërbyer në këtë trupë, shpesh duke rrezikuar jetën.
Fakti se 227 Dëshmorë të Atdheut kanë humbur jetën në krye të detyrës është dëshmi e sakrificës për mbrojtjen e rendit, sigurisë dhe të ardhmes së Shqipërisë. Ky është një borxh që shteti dhe shoqëria jonë nuk mund ta harrojë dhe nuk mund ta shpërblejë kurrë plotësisht.
Frytet e punës suaj ndër vite janë të prekshme sot. Në vitin 2013, numri i vrasjeve me dashje në vend ishte 107. Sot, ky numër është ulur 3 herë, duke sjellë Shqipërinë në nivelin mesatar europian për kriminalitetin.
Këto përmirësime nuk janë rastësi, por rezultat i drejtpërdrejtë i punës suaj të palodhur, i reformave dhe investimeve në sektorin e sigurisë.
Policia, Garda dhe Shërbimi Zjarrfikës gëzojnë një status ushtaraku që reflekton rëndësinë e jashtëzakonshme të misionit dhe përmbushjes së detyrave tuaja në shërbim të sigurisë kombëtare. Ky status i veçantë mbart me vete trajtim më të mirë financuar të punonjësve me uniformë, dalë në pension.
Falë këtij statusi dhe përmirësimeve ligjore të ndërmarra ndër vite, trajtimi i ish-punonjësve të Policisë ka shënuar përmirësime, por jemi të vetëdijshëm se ka ende punë për të bërë. Reforma jonë për rritjen e pensioneve synon të garantojë që çdo ish-punonjës të trajtohet me dinjitetin që meriton, veçanërisht ata që kanë shërbyer në kushte të vështira dhe me një nivel të lartë përgjegjësie.
Të nderuar, ne kemi nisur një aksion të madh kundër informalitetit ekonomik, për të siguruar më shumë të ardhura për fondin e pensioneve. E dimë se dalja në pension është një proces, e për këtë qeveria është e angazhuar për:
– Rritjen e pensioneve, duke nisur nga ato më të ulëtat;
-Përmirësimin e shërbimeve shoqërore për pensionistët, duke garantuar akses më të mirë në kujdesin shëndetësor dhe programe mbështetëse për një cilësi më të lartë jetese;
– Zhvillimin e politikave që synojnë të adresojnë sfidat e specifike të ish-punonjësve të sektorit të sigurisë, përfshirë ndihmën për familjet e dëshmorëve dhe përfitime më të mëdha për ata që kanë dalë në pension.
Por mirënjohja jonë nuk përfundon me pensionin. Ne shohim te ju një pasuri të madhe për shoqërinë dhe një potencial të pashfrytëzuar për të ndikuar pozitivisht në komunitet.
Përvoja juaj mund të përdoret për të:
– Organizuar leksione apo orë të hapura në shkolla, për edukimin e brezave të rinj mbi sigurinë;
– Ndihmuar në ndërtimin e një klime besimi midis qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë.
Sot, Shqipëria është një vend më i sigurt dhe më i drejtë falë punës suaj. Në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë, ju falënderoj për gjithçka që keni bërë dhe ju siguroj se angazhimi për të përmirësuar jetën tuaj do të jetë i pandërprerë.
Faleminderit për gjithçka dhe përgjithmonë do të mbeteni një pjesë e pazëvendësueshme e historisë që ndërtojmë së bashku!