Socialistët janë mbledhur në selinë rozë për të festuar 34-vjetorin e Partisë Socialiste. Festa ka bërë bashkë socialistë të rinj e të vjetër, mes tyre figura si Et’hem Ruka, Gramoz Ruçi apo Arta Dade. Klosi tha se PS transformoi Shqipërinë. 

Në fjalimin e tij, kryetari dhe kryeministri Edi Rama tha se arsyeja pse kjo forcë politike vazhdon të korrë fitore të njëpasnjëshme elektorale është përgjegjshmëria dhe gatishmëria që ka për të marrë përsipër detyrat e shtetbërjes.“Fitorja e 11 majit u mishërua si rezultat i një mbështetjeje më të madhe se askund tjetër për PS dhe padyshim që ne nuk i jemi frikur dhe sigurisht nuk i jemi shmangur askund përgjegjësive që vijnë me fitoren, dhe kjo është, besoj, arsyeja kryesore pse s’ne nuk lodhemi së fituari, pasi nuk lodhemi së ngarkuari veten me përgjegjësi dhe së reflektuari mbi çfarë mund të bëjmë më mirë. Dhe natyrisht që shumë gjëra duhen bërë me pjatjetër më mirë… për të udhëhequr vendin, për ta anëtarësuar në BE brenda kësaj dekade. Nuk ka arsye më të fortë dhe nuk ka edhe domethënie më të madhe se sa përgjegjësia që ka ky objektiv, i cili është një objektiv sa i arritshëm aq edhe tejet i vështirë, sa i afërt aq edhe i lidhur me sa shpejt ne do jemi në gjendje të përmirësojmë çka duhet përmirësuar dhe përmbushur. Ditë që bëhet e veçantë si rezultat i faktit që vjen pas një fitoreje domethënëse të PS, një fitoreje e cila vjen me një përgjegjësi më të madhe se asnjëherë tjetër, përveç faktit që u mishërua si rezultat i një mbështetje më të madhe se asnjëherë tjetër për PS. Shumë gjëra duhen bërë më mirë në kushtet kur kjo fitore është e lidhur me një mandat besimi të jashtëzakonshëm për të udhëhequr vendin dhe për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, brenda kësaj dekade.

“Ne nuk i jemi shmangur asnjëherë përgjegjësive që sjellin fitoret – përkundrazi, nuk lodhemi së fituari sepse nuk lodhemi së reflektuari dhe ngarkuari me detyra,” deklaroi Rama. Ai e cilësoi këtë fitore si një mandat të jashtëzakonshëm besimi nga qytetarët, duke e lidhur atë me objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te përbërja e re e grupit parlamentar të PS, i cili përfshin 83 deputetë. Ai theksoi se më shumë se numrat, vlen cilësia dhe shpërndarja e tyre në territor, duke e cilësuar grupin si “skuadër të re” me një ekuilibër mes përvojës dhe përfaqësimit që mund të përballojë sfidat që vijnë përpara.

“Parlamenti do të jetë shtylla kryesore e procesit të integrimit në BE,” theksoi Rama, duke e bërë të qartë se suksesi në këtë drejtim do të varet nga përmbushja e reformave të brendshme.

Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991, ndërsa kryetari i saj i parë u zgjodh Fatos Nano që e drejtoi deri në vitin 2005, për t’ia lënë më pas stafetën Edi Ramës i cili është në krye të kësaj force politike tashmë prej 2 dekadash.  

PS është edhe partia e cila ka qeverisur vendin më gjatë se çdo forcë tjetër politike në 34 vite demokraci. Socialistët morën drejtimin e vendit nga 1997-a deri në vitin 2005, për 8 vite.

PS u rikthye në pushtet në 2013-ën me në krye Edi Ramën i cili qeveris prej 12 vitesh vendin, ndërsa më 11 maj mori mandatin e katërt qeverisës dhe besimin për të drejtuar vendin deri në 2029-ën. Në 34 vite demokraci socialistët e kanë qeverisur vendin për 20 vite.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu