Suvatimi i godinave të burgut të Spaçit, që nga rrënoja që dëshmonin jetën e vështirë të ish të burgosurve, tashmë kanë marrë pamjen e godinave të reja të lyera me gëlqere të bardhë- ka ngjallur reagime të ashpra e pakënaqësi të mëdha nga aktorët e ruajtjes së kujtesës në vend. Burgu ku vuajtën dënimet politike apo humbën jetën,  disa prej emrave më të njohur  të intelektualëve të vendit gjatë diktaturës komuniste në vend,  ka humbur gjurmët origjinale  në disa prej godinave  të kampit famëkeq.

“Prej vitesh kam ngritur zërin për rëndësinë e ruajtjes së vendeve të kujtesës dhe respektimit të historisë sonë kolektive. Por Spaçi nuk është i vetmi rast ku institucionet bëjnë veshin e shurdhër. Kur kam folur kundër mbjelljes së pemëve në kampin e Tepelenës që dëmtonin autenticitetin historik, askush nuk reagoi. Kur kërkova që Piramida në Tiranë të shndërrohej në një muze të mirëfilltë për diktaturën, përsëri heshtje. Edhe kur propozova që vila 31 e diktatorit Hoxha të kthehej në “Shtëpinë e përgjegjësisë”, asnjë përgjigje”, thotë Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media e Kulturë  që prej 10 vitesh ka organizuar aktivitete, konkurse mbi kujtesën e vizita në vendet e kujtesës për të ndërgjegjësuar për rëndësinë e rolin e këtyre objekteve në kujtesën e vendit e shoqërisë.

“Ironikisht, sot kujtesa historike është bërë ‘trendy’. Qeveria nuk e mbron dot Spaçin, por ndërkohë një pjesë e mirë e të ardhurave nga turizmi vjen pikërisht nga institucionet që promovojnë kujtesën.  Sa kohë do u duhet shqiptarëve ta kuptojnë se e shkuara nuk është e kaluar, por e tashme? Ajo që po shohim tani: party në vilën 31, qofte në Piramidë, filma në Spaç, është vetëm fillimi i fundit” thekson Godole.

Arnen Sula, një artist i ri që ka çelur vjet një ekspozitë në Spaç, thotë se duhet t’i japim fund përdorimit të  “vendeve të kujtesës për ushqimin e egove artistike! Spaçi nuk është skenë filmi për të sajuar imazhe estetike; ai është vend dëshmie, vend dhimbjeje dhe vend kujtese. Spaçi është i të gjithëve”.

Në reagimin e tij, Sula, thotë se “në ish-Burgun e Spaçit po kryhen ndërtime për xhirimin e një filmi artistik. Pamjet tregojnë se ndërhyrjet janë të pakontrolluara dhe po dëmtojnë rëndë paraqitjen autentike të objektit, duke fshirë gjurmët e së kaluarës dhe duke zhdukur memorien historike që ai mbart”.

Sipas Sulës, këto punime duhet të ndalen menjëherë, pasi çdo ndërhyrje në këtë hapësirë të ndjeshme duhet të bazohet në një studim serioz historik e konservues, duke u mbështetur në rrëfimet e ish-të përndjekurve politikë, por edhe të ish-punonjësve të sistemit që kanë qenë pjesë e strukturës së Spaçit. “Vetëm kështu mund të garantohet një restaurim i kujdesshëm që respekton realitetin e Spaçit siç ka qenë në funksion”, thekson ai.

Për grupimin “Qndresa qytetarë”, burgu i Spaçit nuk është Agroturizëm, ndaj s’mund të rikonstruktohet me Manualin AZHBR!

“Burgu i Spaçit në Mirditë, simbol i qëndresës, dhimbjes e sakrificës si dhe dëshmi e faturës së paguar nga shqiptarët në emër të lirisë po restaurohet si të ishte Agroturizëm dhe jo si një godinë që do duhej të dëshmonte një prej faqeve më të trishta të historisë shqiptare. Revolta e Spaçit e datave 21 Maj deri në 23 Maj 1973 përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci, pasi për herë të parë u ngrit flamuri shqiptar pa yllin komunist”, shkruan Qëndresa Qytetare.

Ndërsa poston fotot e godinave të suvatuara, Qëndresa thotë se ndërhyrjet janë të pakontrolluara dhe po dëmtojnë rëndë paraqitjen autentike të objektit, duke fshirë gjurmët e së shkuarës dhe duke zhdukur memorien historike.

“Qëndresa Qytetare apelon që këto punime që po kryhen për realizimin e një filmi duhet të ndalen menjëherë. Qëndresa Qytetare kërkon që ndërhyrja në këtë godinë duhet të bazohet në një studim serioz, pjesë e të cilit duhet të jenë historianë, ish të burgosur, ish punonjës dhe përfaqësues të familjeve të ish të përndjekurve”, vijon reagimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu