Është hedhur në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit shorti që ka përcaktuar kalendarin e sezonit të ri futbollistik 2024-2025. 10 klubet shqiptare kanë mësuar nga goglat kundërshtarët e tyre për 36 javët e këtij edicioni, teksa që në javën e parë premtohen emocione. Vllaznia e nis sezonin e ri futbollistik me një përballje të fortë, me të kuqtë e Partizanit. Interesant fakti që derbi i Shqipërisë, Vllaznia – Tirana do të luhet që në javën e dytë, në “Loro Boriçi”. Në javën e tretë Vllaznia luan në transfertë me Skëndërbeun e Korçes, ndërsa në të katërten pret në shtëpi Egnatian. Jo vetëm nisja por edhe mbyllja e 36 javëve kampionat duket interesante ku 3 sfidat e fundit ekipi shkodran i luan fillimisht në 19 prill 2025 me Dinamo City në Loro Borici, më pas në transfertë me Elbasanin dhe rikthehet në shtëpi për ndeshjen e fundit në 1 Maj me Laçin. Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, kampionati “Kategoria Superiore” do të ngrejë siparin të dielën e 18 gushtit dhe kampionati i rregullt do të përfundojë më datë 1 maj të vitit 2025. Ndërsa faza “Final Four” do të luhet në periudhën 9 – 17 maj 2025.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu