Ballina Aktualitet “Sulm çdo 3 minuta: Shqipëria në vijën e parë të luftës kibernetike”...

“Sulm çdo 3 minuta: Shqipëria në vijën e parë të luftës kibernetike” / Konferenca “Balkan Cybersecurity Days 2026”

Screenshot

Shkodra u kthye në një pikë takimi për ekspertët e sigurisë kibernetike nga Ballkani Perëndimor dhe më gjerë, me zhvillimin e edicionit të katërt të konferencës “Balkan Cybersecurity Days 2026”, një aktivitet që mbledh përfaqësues të institucioneve publike, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë. Drejtori i Përgjithshëm i Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Emir Kaplani, bëri të ditur se Shqipëria përballet me sulme të vazhdueshme kibernetike, ku sipas të dhënave, një tentativë regjistrohet mesatarisht çdo tre minuta. Ai u ndal edhe tek sulmi i fundit ndaj Kuvendit të Shqipërisë.

Emir Kaplani, Drejtori i Përgjithshëm i Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike

“Ne jetojmë në një kohë ku transformimi dixhital dhe teknologjia po zhvillohen më shpejt se kurrë dhe siguria kibernetike po bëhet një nga shtyllat themelore të stabilitetit kombëtar, zhvillimit ekonomik dhe besimit publik. Infrastruktura kritike, institucionet shtetërore, bizneset dhe qytetarët tanë mbështeten gjithnjë e më shumë në sistemet dixhitale, ndaj mbrojtja e tyre është një prioritet strategjik për të gjitha vendet tona. Siç jeni në dijeni, Shqipëria vazhdon të përballet me sulme shumë serioze kibernetike. Shembulli më i fundit është sulmi ndaj Parlamentit të Shqipërisë. Kjo tregoi edhe një herë se këto sulme janë intensive, komplekse dhe të vazhdueshme. Sulmet kibernetike nuk njohin kufij dhe shpesh godasin disa vende njëkohësisht. Kur një vend sulmohet, edhe vendet e tjera të rajonit mund të ekspozohen ndaj rreziqeve kibernetike. Në Shqipëri, një tentativë sulmi regjistrohet mesatarisht çdo tre minuta, gjë që e bën luftën ndaj tyre edhe më sfiduese. Prandaj, forcimi i bashkëpunimit përmes shkëmbimit në kohë të informacionit mbi kërcënimet, reagimit të koordinuar ndaj incidenteve dhe ndarjes së eksperiencave dhe praktikave më të mira është thelbësor për të gjitha vendet tona. Vetëm duke ndarë informacion mbi teknikat e sulmeve dhe dobësitë mund të parandalojmë më herët dhe të reagojmë më me efikasitet. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike mbetet plotësisht i angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me rajonin, partnerët ndërkombëtarë, sektorin publik dhe privat, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit, përgatitjes dhe qëndrueshmërisë ndaj këtyre kërcënimeve në zhvillim”.

Ambasadori britanik Nicholas Abbott, u shpreh se sulmet kibernetike ndikojnë drejtpërdrejt në proceset demokratike, shërbimet publike dhe sigurinë e të dhënave, duke kërkuar një angazhim të përbashkët për rritjen e qëndrueshmërisë.

Nicholas Abbott, Ambasadori britanik në Shqipëri

“Si Mbretëri e Bashkuar, prej disa vitesh tashmë, kemi investuar në bursa për sigurinë kibernetike dhe kemi dërguar një grup të vogël njerëzish në Mbretërinë e Bashkuar për t’u trajnuar në këtë fushë. Ndërsa shohim zhvillimin e këtij rajoni, shohim gjithashtu edhe rreziqet që rriten, dhe sapo u përmendën edhe incidentet në Parlament javën e kaluar. Këto incidente kanë rëndësi. Ato minojnë besimin në zgjedhje. Ato ndërpresin shërbimet thelbësore. Ato ekspozojnë të dhëna sensitive. Dhe këtë e kemi parë jo vetëm në këtë rajon, por edhe më gjerë. Prandaj është në interesin tonë të punojmë dhe t’ju ndihmojmë të zhvilloheni si partnerë të qëndrueshëm në këtë drejtim. Ne vetë synojmë të jemi një fuqi udhëheqëse botërore në sigurinë kibernetike, e përgjegjshme dhe demokratike. Në 20 vitet e fundit kemi mësuar shumë, pjesërisht përmes agjencive dhe procedurave, por edhe përmes gabimeve dhe dështimeve në një mjedis që evoluon vazhdimisht. Dy nga mësimet kryesore që dua të theksoj sot janë: Së pari, komunikimi. Një forum si ky është shumë i rëndësishëm për të bashkuar aktorë nga fusha politike, ndërkombëtare, rajonale, private dhe akademike. Të sillni bashkë njerëz nga prejardhje të ndryshme është thelbësore. Së dyti, koordinimi. Dhe këtu dua të vlerësoj atë që ka bërë Shqipëria vitet e fundit, duke bërë progres real në planifikimin strategjik dhe reagimin ndaj incidenteve. Bashkëpunimi ndërinstitucional është një faktor shumë i rëndësishëm që sjell rezultate konkrete. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë bashkëpunimin në këtë fushë dhe besojmë se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të veçantë. Gjithashtu, jemi shumë të interesuar të shohim gjithnjë e më shumë gra në këtë sektor, dhe jam i lumtur të shoh një pjesëmarrje kaq të larmishme sot. Por më lejoni ta mbyll me një mendim ndryshe, jo pjesë e fjalimit. Para disa javësh isha në Bruksel, në selinë e NATO-s. Siç mund ta imagjinoni, diskutuam për situatën në Ukrainë dhe për pozicionimin e Mbretërisë së Bashkuar në NATO. Selia e NATO-s është një ndërtesë e madhe moderne, prej çeliku dhe xhami, që përfaqëson shumë mirë idenë tradicionale të luftës fizike. Por ajo që po diskutojmë sot është një formë tjetër lufte, që zhvillohet në mënyrë të ndryshme. Dua t’ju kujtoj këtë: edhe pse vini nga fusha të ndryshme dhe ndoshta shumë teknike, roli juaj është shumë më i madh. Në këtë mjedis të vështirë gjeopolitik, ju jeni pjesë e kësaj beteje. Ajo që bëni për të mbrojtur të tjerët është jashtëzakonisht e rëndësishme. Dhe Shqipëria, siç e kemi parë, është gjithashtu pjesë e kësaj “fushe beteje” moderne”.

Konferenca përfshin diskutime mbi sfidat më të fundit në sigurinë kibernetike, përfshirë rreziqet e zinxhirit të furnizimit dhe kërcënimet e teknologjive të reja, si dhe panele mbi sovranitetin digjital dhe praktikat më të mira evropiane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks