Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, i bën thirrje fermerëve të aplikojnë në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025, pasi kanë mbetur vetëm 7 ditë nga mbyllja e këtij procesi.
Sipas AZHBR-së, të gjithë fermerët që kanë një NIPT, apo grupe fermerësh, mund të aplikojnë për të përfituar subvencione nga skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2025.
“Fermerët mund të aplikojnë deri më 30 maj dhe të përfitojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për: blegtorinë, bletarinë, farat dhe fidanët, bimët mjekësore – aromatike, fermat organike, certifikimin Global Gap, si edhe naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi”, njoftoi AZHB-ja.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, të rrisë prodhimin vendas dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg.
Risi këtë vit është masa e financimit për të gjithë fermerët dhe blegtorët, që mbarështojnë viça për majmëri. Masa financiare për viçat do të jetë 5 mijë lekë për kokë, ndërsa mbështetja me financim për lopët do të jetë 10 mijë lekë për kokë.
Sipas njoftimit nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania, deri më 30 maj, ora 24:00.
Related