Forcat e mbrojtjes civile të Shqipërisë, së bashku me ato të 13 vendeve të tjera pjesëmarrëse, po zhvillojnë prej disa ditësh në Shkodër stërvitjen ndërkombëtare “Flood North Albania”, e cila ka për qëllim përgatitjen dhe ndërhyrjen në rast fatkeqësish natyrore. Aktiviteti është përshëndetur edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ndoqi nga afër disa prej operacioneve stërvitore në terren. Ministri vizitoi gjithashtu qendrën e stërvitjes pranë brigjeve të lumit Buna, ku u njoh nga afër me mënyrën e organizimit dhe koordinimit ndërmjet grupeve të angazhuara në operacion.
Stërvitja “Flood North Albania” ka bashkuar rreth 450 forca të emergjencave civile nga 13 shtete të ndryshme, si dhe mbi 70 mjete të specializuara, përfshirë edhe helikopterë. Ky projekt financohet nga DG ECHO (Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën Humanitare të Bashkimit Evropian) dhe koordinohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila funksionon në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.