Kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social Facebook ka nderuar figurën e klerikut Dom Ndre Mjedës në përvjetorin e largimit të tij nga jeta.
STATUSI SPIROPALIT:
Sot nderojmë kujtimin e Dom Ndre Mjedës, larguar nga kjo jetë më 1 gusht 1937, një prej figurave të ndritura të Rilindjes Kombëtare, që i dha kulturës dhe gjuhës shqipe forcë, bukuri, pasuri e dinjitet.
Vepra e Ndre Mjedës është një gur themeli në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar, një zë zgjues i ndërgjegjes së shtypur të shqiptarëve, një mbrojtës si rrallëkush i kulturës dhe i gjuhës sonë.
Si mësues, poet, përkthyes, klerik dhe atdhetar, me mendje të ndritur e zemër të naltësuar prej idealeve të shqipes, dijes e lirisë, Ndre Mjeda i shërbeu me dashuri kombit dhe kulturës shqiptare.
Ndre Mjeda ishte anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, në Kongresin e Manastirit, në vitin 1908.
Trashëgimia e Ndre Mjedës mbetet e gjallë edhe përmes vargjeve të Tij plot muzikalitet, elegancë e atdhedashuri:
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel,
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.