Djali i ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Genar Topalli, ka bërë një reagim publik për shpenzimet e dasmës së tij në Romë, me bashkëshorten e tij, Cindy Marina.
Spekulimeve të pafundme, Genari ju ka dhënë këtë përgjigje:
Statusi i plotë:
Të dashur miq, familjarë dhe të njohur,
Më 13 shtator 2025 përjetova ditën më të bukur të jetës sime: u kurorëzova me Cindy Marina.
Edhe pse nuk kemi asnjë detyrim të japim shpjegime për jetën private, dua ta bëj këtë reagim për transparencë. Ceremonia u zhvillua në Bazilikën e Shën Marisë, te Altari i Qiejve – një bekim i madh shpirtëror, për të cilin, siç dihet, nuk ka pagesë, por vetëm një donacion simbolik.
Më pas, darka u mbajt në një ambient në Romë, me kosto që nuk kalon shpenzimet e zakonshme të një dasme në Shqipëri (çdokush mund ta verifikojë lehtësisht me një kërkim të thjeshtë në Google). Gjithçka është menduar, organizuar dhe financuar prej meje dhe Cindy-t, me mbështetjen e prindërve të saj.
Ne jetojmë e punojmë në SHBA, ku drejtojmë së bashku biznesin tonë në fushën e transportit, ndërsa Cindy, përveç angazhimeve të tjera, menaxhon një nga klubet më të mëdha të volejbollit në Kaliforninë Jugore, në pronësi të familjes së saj.
Prindërit e Cindy-t jetojnë në SHBA prej afro 30 vitesh dhe sot kanë ndërtuar biznese të suksesshme në fushën e transportit dhe të sportit, me mbi 150 të punësuar.
Ky sqarim bëhet vetëm për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të hedhur poshtë komentet me shifra krejtësisht të pavërteta e spekulative.
Falënderoj me zemër të gjithë ju që na uruat në këtë ditë të shenjtë për familjen tonë.
Me respekt,
Genar Topalli