Ka respektuar pritshmëritë kryendeshja e javës së 10-të të kampionatit Abissnet Superiore mes Egnatias dhe Vllaznisë. I ka të gjitha sfida mes dy kryesueseve: gola, penallti dhe karton të kuq, por nuk ka fitues. Mbyllet në barazim 2-2 një ndeshje e bukur dhe plot emocione. Shkodranët mbyllin pjesën e parë në avantazh falë një goli shumë të bukur të shënuar nga Kallaku. Rrogozhinasit reagojnë, duke barazuar shifrat me Yahayan. Në minutën e 73-të episodi më kulmor i sfidës. Penallti për Vllazninë dhe karton të kuq për Fangaj. Shkodranët kalojnë në avantazh, falë golit të shënuar nga 11-metrat nga Balaj, ndërsa vendasit mbeten me një lojtar më pak në fushë.
Egnatia nuk dorëzohet dhe barazon sërish, këtë herë me Jaime, që dërgon topin në rrjetë, pas një skeme të bukur të organizuar me Aleksin.
Mbyllet në barazim 2-2 supersfida e kësaj jave në Abissnet Superiore. Vllaznia ngjitet në kuotën e 20 pikëve dhe tashmë ndan kreun e renditjes me Elbasanin, ndërsa Egnatian ngjitet në kuotën e 19 pikëve.






