SPAK

Prokuroria e Posaçme reagoi pas njoftimit të ambasadës amerikane për ngirjen e përkohshme të fondeve amerikane në institucionet shqiptare. Ky vendim pezullimi erdhi pas një urdhëri ekzekutiv të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Organi i posaçëm i akuzës bëri të qartë se nuk preket nga ky vendim në vetvete, pasi insitutucioni nuk financohet nga SHBA-të por nga buxheti i shtetit shqiptar.

“SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Fondet e vetme amerikane nga të cilat përfiton struktura antikorrupsion janë përmes misioneve të huaja dhe nga trajnimet.

“Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët  kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI. Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve”, thuhet më tej.

Sipas burimeve, fondet do të jenë të pezulluara për një periudhë 90 ditore edhe për të gjitha ministritë, për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për të gjitha gjykatat si edhe për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Trump urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e nismës  së presidentit Trump për transparencë të plotë dhe për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu