6 ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018 janë duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e një sage hakmarrje mes fiseve Bajri dhe Lici në kryeqendrën e veriut. Konkretisht janë duke u kryer hetime mbi shpërthimin e një sasie eksplozivi në Janar të 2018 në lagjen Partizani, katër vrasje dhe rrëmbimin e dy personave në po të njëjtin vit.
Hetimet që janë dërguar nga Prokuroria e Shkodrës për kompetencë fillimisht në Prokurorinë për Krime të Rënda janë bashkuar në një procedim të vetëm dhe muajt e fundit, SPAK ka kryer veprime aktive hetimore.
Në kuadër të të njëjtit hetim, Prokuroria e Posaçme thotë se dokumentoi edhe vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje për të cilën ka çuar në qeli Behar Bajrin, Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin.
Të tre ata kanë mohuar akuzat e Prokurorisë, teksa kjo e fundit thotë se motiv i vrasjes ka qenë hakmarrja pasi Behar Bajri bënte përgjegjës për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana dhe partneres së tij, Silvi Ndoci, Ibrahim Licin, nipin e Fatbardhit./ tv klan