SPAK firmosi 9 fletëarreste për zyrtarë e ish- zyrtarë të Bashkisë së Tiranës. Për tre prej tyre prokuroria e posaçme ka urdhëruar masën shtrënguese të arrestit në burg, ndërsa për 6 të tjerët detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore.

Në pranga kanë përfunduar ish-kreu i Inspektoriatit Ndërtimor në Tiranë Mariglen Qato dhe Redi Molla Ish-drejtor i Ujësjellës kanalizimeve në Tiranë.

Ndërkohë, është caktuar një masë e dytë arresti në burg për Taulant Tushën që është arrestuar më herët për dosjen e inceneratorit të Tiranës.

SPAK njofton zyrtarisht në bashkëpunim, ku ata krijuan kushtet që në procedura tenderimi, fituese të shpallej kompania që indirekt ishte zotëruar prej tyre.

Bëhet fjalë për kompaninë 5D që marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi ku autoritet kontraktor është UKT.

Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion.

Në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik.

Sa i takon ish drejtorit të arrestuar për dosjen e inceneratorit, Taulant Tushe, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave spak thote se i ka favorizuar pronaret e vertete te 5D që perfunduan ne burg.

Ndërsa në masën më lehtesuese ate te detyrimit te paraqitjes prokuroria la Eglantina Zeren, Enton Punavian, Julian Zanajn dhe Albano Jankun që ishin anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Debora Keçi si autoritet kontraktor dhe administratorin e kompanise 5D Nestor Muhametllari.

Në bashkëpunim ata akuzohen për Korrupsion, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike dhe Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive.

EMRAT

Eglantina Zere
Enton Punavia
Debora Keçi
Nestor Muhametllari
Julian Zanaj
Albano Janku
Redi Molla
Taulant Tusha
Mariglen Qato

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal nr.75, datë 27.04.2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258/2 dhe 259/2, të Kodit Penal. 

Po kështu, Prokuroria e Posaçme mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga shtetasi Belind Këlliçi, ka rregjistruar procedimin penal nr.121, datë 23.05.2023. Të dy procedimet penale janë bashkuar në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023.

Lidhur me këtë procedim penal, për një periudhë disa mujore dhe në mënyrë të pandërprerë, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ku janë përfshirë administrimi dhe verifikimi i informacioneve nga burimet e hapura, kryerja e veprimeve hetimore proaktive, kryerja e kontrolleve të vendeve dhe kontrolleve të personave, sekuestrime të provave materiale, administrimi i dokumentacionit të një sërë procedurash prokurimi, kryerja e ekspertimeve teknike e kompjuterike, shqyrtimi dhe analizimi i të gjitha provave dhe dokumenteve të administruara.

Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit R.M. dhe M.Q. janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit R.M. dhe M.Q. e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare  në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.

Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që shtetasi R.M. ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.

Në këto procedura prokurimi shtetasi R.M. ka patur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Njësisë së Prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni shtetasin M.Q. që është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, si dhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që shtetasi M.Q. ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi. Në këto procedura prokurimi shtetasi M.Q. ka patur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qënë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.

Janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi T.T. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe shtetasit E.P., J.Z. dhe A.J. në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik. Ekzistojnë dyshme të bazuara se shtetasi T.T. ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe ka favorizuar këtë shoqëri tregtare duke ditur se cilët persona kanë qënë zotëruesit indirekt të aksioneve të shoqërisë.

Së katërti, janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja E.Z. në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja E.Z. ka pasur komunikime direkte me shtetasin N.M. administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.  

Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja D.K. në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja D.K. ka pasur komunikime direkte me shtetasin N.M. administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor shtetasit N.M user-at e anëtarëve të KVO-së.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr.28, datë 28.03.2024, ka vendosur:

1. Caktimin ndaj personit nën hetim R.M. të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, nga këto 4 (katër) raste të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 (pesë) raste, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

2. Caktimin ndaj personit nën hetim M.Q. të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 4 (katër) raste, të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.

3. Caktimin ndaj personit nën hetim T.T. të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

4. Caktimin ndaj personave nën hetim E.P.  të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

5. Caktimin ndaj personit nën hetim J.Z. të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

6. Caktimin ndaj personit nën hetim A.J. të masës së  sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

7. Caktimin ndaj personit nën hetim N.M. të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

8. Caktimin ndaj personit nën hetim E.Z të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga nenet 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në Bashkisë Tiranë, e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

9. Caktimin ndaj personit nën hetim D.K. të masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu