Deputeti Bardh Spahia denoncon vonesat e pajustifikueshme të pagave, për bluzat e bardha, ndërkohë që qeveria shpërdoron miliona në tendera korruptivë. Si mjek dhe Kryetar i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Spahia kërkon masa urgjente dhe shpreh solidaritet të plotë me bluzat e bardha që sot ndihen të tradhtuara nga shteti.
Reagimi i plotë:
NDËRSA PUSHTETARËT NUMËROJNË MILIONAT E TENDERAVE KORRUPTIVE, MJEKËT NUK KANË MARRË ENDE RROGAT!
Sot jemi dëshmitarë të një turpi kombëtar. Në Shqipërinë e vitit 2026, ata që mbajnë veshur bluzën e bardhë, simbolin e shpresës dhe jetës, trajtohen si të dorës së dytë.
Edhe pse jemi në fund të Janarit, në spitalin e Shkodrës dhe në shumicën e spitaleve të vendit, mjekët, infermierët dhe personeli shëndetësor që sakrifikojnë netët pa gjumë, festat larg familjes për të shërbyer, sot nuk kanë marrë akoma rrogat e muajit dhjetor. Nuk po kërkojnë luks, po kërkojnë djersën e ballit!
Për tendera sekretë gjenden brenda natës paratë pa fund. Për koncesione që pasurojnë klientët e oborrit qeveritar, thesi është gjithmonë plot. Si ka mundësi që për luksin tuaj qeveritar buxheti nuk shteron kurrë, ndërsa për bukën dhe nevojat e fëmijëve të mjekëve dhe infermierëve arkës i vihet dryni?
Kjo nuk është vonesë teknike. Kjo është vjedhje dhe papërgjegjshmëri ekstreme qeveritare.
Ky është përçmim ndaj profesionistëve.
Mjaft më me propagandë!
Mjaft më me duartrokitje false për personelin mjeksor.
Vlerësimi nuk tregohet me fjalime boshe, por me respektim të dinjitetit edhe financiar si detyrim ligjor.
Paguani mjekët tani!
Solidaritet maksimal me çdo mjek, infermier dhe personel shëndetësor që sot ndihet i tradhtuar nga ky shtet.
Si mjek dhe Kryetar i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale kërkoj me forcë marrjen e masave urgjente nga qeveria për zgjidhjen e kësaj situate të turpshme.
Ne jemi me ju!






