Në të gjitha trevat shqiptare, sot festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.

Dita e Mësuesit kujtohet sot me aktivitete të shumta në gjithë vendin, ndërsa vëmendja e qeverisë për arsimin është përkthyer vitet e fundit në investime të shumta në infrastrukturën arsimore.

Dita e Mësuesit i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve dhe në këtë ditë, të gjithë së bashku nderojmë traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, si dhe të figurës së mësuesit.

Sot në Shqipëri janë rreth 33 mijë mësues në total, dhe rreth 3600 prej të cilëve janë punësuar nga portali në vitin 2022.

Mësuesit shqiptarë në çdo kohe e në çdo krahinë kanë qenë jo thjeshtë profesionistë të arsimit, por në radhë të parë ishin patriotë dhe njerëz të emancipuar, humanë dhe artistë të fushave të ndryshme.

Në mars të vitit 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë shqipe. Kjo ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë.

Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu