Sot bëhen 11 vite nga vizita historike e papa Françeskut në Tiranë, më 21 shtator 2014, e cila ishte gjithashtu edhe vizita e tij e parë nga momenti që u zgjodh Papë në fronin e Shën Pjetrit. Papa qëndroi për rreth 12 orë në Tiranë, duke i bërë Shqipërisë një jehonë të madhe për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme.
Papa Francesku zgjodhi Shqipërinë, si vizitën e parë të tij në Evropë. Fjalimin e parë, e mbajti në presidencë, për të vazhduar pastaj fjalimin në meshën e shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”. Papa u prit nga dhjetëra-mijëra shqiptarë të të gjitha besimeve fetare.
“Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes”, u shpreh ai. Papa Françesku kremtoi Meshën dhe përforcoi në fe bashkësinë katolike, inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët, në një vend me shumicë myslimane dhe inkurajoi gjithë popullin për të vazhduar në udhën e demokracisë.
Moment i veçantë gjatë vizitës së papa Françeskut ishte përqafimi me dy të mbijetuar të komunizmit, don Ernest Simonin (Troshani), tashmë kardinal, dhe motër Maria Kaletan. E pastaj, fëmijët e Qendrës Betania, ku murgeshat kujdesen edhe sot për nevojtarët e, shumë e shumë të tjerë.