Për të shtatën ditë radhazi, banorët e Velipojës vijojnë protestën e tyre, duke u përqendruar këtë herë përpara ambienteve të Prokurorisë së Shkodrës. Ata kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare drejtuar këtij institucioni, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumentacionit që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet një resort turistik.
“Larg hajdutët! Tokat tona nuk i dorëzojmë! Duam drejtësi! Ku është ai njeri që s’vjen të përballet me ne?”, janë disa prej thirrjeve të banorëve.
Sipas banorëve, dokumentet që ata zotërojnë vërtetojnë pronësinë e ligjshme të tokës, ndaj kërkojnë nga organet e drejtësisë që çështja të trajtohet me prioritet, duke shmangur çdo zvarritje të mëtejshme të procesit. Ata i bëjnë thirrje drejtësisë që të japë një përgjigje sa më parë dhe të mos lejojë që konflikti të mbetet pezull, pasi kjo situatë, sipas tyre, po rrit pasigurinë dhe tensionet në zonë. Banorët kanë kundërshtuar gjithashtu pretendimet e firmës ndërtuese për zhvillimin e një dëgjese publike, e cila, sipas tyre, nuk është realizuar. “Firma që ka fituar këtë zhvillim të një resorti luksoz, pretendon se ka bërë një dëgjesë publike me fshatarët e Baks-Rrjollit. Këtë e sfidoj këtu sepse fshatarët e Baks-Rrjollit këta janë, nuk kemi të tjerë, nuk ka më shumë se kaq, vetëm presim të vijnë më shumë se kaq, presim ata që kanë ikur që të kthehen te prona e tyre dhe t’i pyesë prokuroria se cilët nga këta persona kanë bërë dëgjesë publike që ai pretendon në një reagim tijin që kanë pasur dëgjesë publike. Ne kërkojmë vetëm drejtësi! Drejtësia është cili i ka letrat false? Ne e dimë që i ka false!”, tha njëri nga banorët.
Në protestë kanë marrë pjesë edhe emigrantë nga Gjermania dhe Anglia, të cilët janë kthyer posaçërisht për të mbështetur banorët e Rrjollit, duke kërkuar që çështja e pronësisë të marrë një zgjidhje përfundimtare, të drejtë dhe ligjore nga institucionet përkatëse.
“Sot kemi ardhur prej Anglie, jemi gjallë e do të vijmë në shi e në borë! Nuk na ndalon asgjë! Axhat e mi po qajnë tokën e tyre! Babai im në tokë, në ambulancë! Gjyshit tim po ia hanë ditët prej mërzisë! Katër stërgjyshë kanë lindur atje dhe sot na thonë se toka s’është jona?!”, janë thirrjet e Elena Pjeshkës.Protesta ka vijuar edhe përpara godinës së Bashkisë së Shkodrës, ku banorët kërkojnë një reagim zyrtar lidhur me lejen e ndërtimit të dhënë. Ata paralajmërojnë se do të vijojnë protestat deri në marrjen e një përgjigjeje konkrete nga Prokuroria dhe institucionet përgjegjëse.“Jemi duke protestuar se kemi problem me pronat. Jemi zhvendos përpara bashkisë për të marrë një reagim prej tyre. Jemi zonë që administrohemi nga bashkia e Shkodrës. Po lënë pa prona të gjithë fshatin. Bashkia të dalë me një reagim zyrtar, të vijnë të flasin me ne sesi është proceduar për marrjen e kësaj leje ndërtimi. Banorëve po iu plaçkitet prona. Asnjë nga banorët e Rrjollit nuk janë pyetur. Dëgjesa publike që firma ndërtuese pretendon se e ka bërë, nuk është bërë me banorët e Rrjollit”, tha një prej banoreve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu