Naim Bahçja nga fshati Drisht i Postribës në Shkodër prej një jave po kujdeset për fëmijën e tij të porsalindur. Bashkëshortja e Naimit, 25 vjeçarja Diana Bahçja është arrestuar nga policia duke e shkëputur nga djali i saj vetëm 8 ditësh pasi gjykata e shkallës së parë në Tiranë i ka vendosur një gjobë në vitin 2020 prej 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetër duke ia konvertuar një javë më parë, pra pas tre vitesh me burg një muaj e 20 ditë. Naim Bahçja thotë se bashkëshortja e tij u arrestua pa pasur asnjë dijeni as për gjobën e vendosur para tre vitesh dhe as për vendimin e dënimit me burg.
Diana Bahçja është dënuar për braktisjen e një fëmije nga martesa e parë, por ajo mohon se e ka braktisur vajzën e saj. Në një bisedë telefonike nga burgu i grave në Tiranë, e dënuara thotë se ish-bashkëshorti pasi e ka keqtrajtuar e ka nxjerrë nga shtëpia duke mos ia lënë as vajzën.
Aktualisht për djalin që sapo ka mbushur dy javë nga momenti i lindjes kujdeset babai Naimi dhe mbesa e tij 11 vjeçare.
Apeli i 28-vjeçarit është që bashkëshortja e tij të lirohet sa më parë dhe të kthehet tek fëmija i porsalindur ndërsa tregon se është i gatshëm që të marrë edhe vajzën që bashkëshortja e tij ka nga martesa e parë. E dënuara Diana Bahçja është nga Burreli ndërsa edhe ish-bashkëshorti i saj që e ka denoncuar për braktisjen e fëmijës së parë disa vite pas divorcit është nga Burreli. Mbetet e paqartë se cila është historia mes këtij ish-çifti.