Pa asnjë konsultim me publikun dhe në mungesë të plotë transparence, qeveria ka marrë vendimin që mbetjet urbane të qyteteve të Fierit dhe Elbasanit, pas dështimit të inceneratorëve përkatës, të depozitohen në landfillin e Bushatit në Shkodër gjatë vitit 2026.Sipas dokumenteve shoqëruese të projektbuxhetit të vitit 2026, qeveria parashikon që mbetjet e 14 bashkive të qarqeve Fier dhe Elbasan të transportohen drejt Bushatit, ndërsa kostot e transportit do të mbulohen përmes subvencionimit nga fondet shtetërore.
Ky plan vjen në një kohë kur inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës janë shpallur zyrtarisht të dështuar, duke shënuar një tjetër hap të diskutueshëm në politikat e menaxhimit të mbetjeve urbane në vend.
Në dokumentin zyrtar të dorëzuar bashkë me buxhetin, qeveria ka parashikuar gjithashtu mbylljen e përkohshme të landfilleve ekzistuese në Fier dhe Elbasan, duke i ngarkuar landfillit të Bushatit rolin e pikës kryesore të depozitimit për këto zona.
Vetëm një ditë përpara dorëzimit të projektbuxhetit në Kuvend, Operatori i Blerjeve të Përqendruara hapi një tender me vlerë 680 mijë euro, që ka si objekt zgjerimin e landfilleve ekzistuese në Fier dhe Elbasan. Tenderi parashikon zgjerimin e tyre brenda një periudhe 5-mujore, me synimin që të kenë kapacitet depozitimi për 20 vitet e ardhshme.
Ky zhvillim, sipas ekspertëve të fushës, konfirmon jo vetëm dështimin e aferës qindra milionë euro të inceneratorëve, por edhe mungesën e një strategjie afatgjatë për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve urbane në Shqipëri.






