Banorët e rrethit të Krujës kanë vazhduar protestën e tyre edhe pasditen e së premtes, duke kërkuar hyrje-dalje në autostradë.
Por ndërsa protestuesit vazhdonin protestën, policia ka ndërhyrë barbarisht ndaj tyre në tentativë për të liruar autostradën për shoferët.
Në videon e siguruar së fundmi nga “Ora News” pamjet janë të frikshme, ku policët ndjekin shembullin e Altin Qatos, drejtorit të rrugores i cili pak javë më parë u shfaq duke e liruar trafikun me shpulla ndaj këtyre banorëve.
Vetë banorët thanë sot se do ta çojnë në SPAK çështjen e mungesës së aksesit në autostradë.
Një nga protestuesit në fjalën e tij tha se banorët e Krujës, Fushë Krujës dhe të Thumanës do reagojnë, deri në plotësimin e kushtit të tyre, pasjen e dalje-hyrjeve në rrugën kryesore.
Protestuesi tha se po falimentojnë bizneset e tyre. Ai me ironi tha se nuk janë pasardhës të Kristaq Ramës (babai i kryeministrit Rama) dhe të Beqir Ballukut (paraardhës i ministres Belinda Balluku).
Banori tha se janë pasardhës të Skënderbeut dhe se do reagojnë, derisa të ketë hyrje-dalje në rrugën kryesore.
“Ne nuk jemi pasardhës të Kristaq Ramës dhe as të Beqir Ballukut. Ne jemi pasardhës të Skënderbeut.
Po na falimentojnë bizneset. Të vendosen hyrje-dalje në autostradë, pasi ne do reagojmë deri në zgjidhjen e problemit”, tha banori.