Një situatë e rëndë dhe e paprecedentë është raportuar mbrëmjen e sotme në Reanimacionin Qendror të QSUT-së, ku mungesa e energjisë elektrike ka vënë në rrezik funksionimin e repartit më kritik të spitalit më të madh në vend.
Sipas denoncimeve të mbërritura te JOQ nga qytetarë dhe familjarë të pacientëve, ikja e dritave ka krijuar kaos dhe pasiguri totale, duke paralizuar punën e stafit mjekësor dhe duke alarmuar të afërmit e të shtruarve në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se, për shkak të dështimit të sistemit elektrik dhe pamundësisë për të garantuar kushtet minimale në dhomat e kujdesit intensiv, pacientët janë nxjerrë me urgjencë nga reanimacioni dhe janë transferuar nëpër korridoret e spitalit.
Një qytetar i pranishëm në QSUT ka denoncuar situatën, duke theksuar ankthin dhe panikun e krijuar: “Situata doli jashtë kontrollit. Ka ikur korrenti dhe pacientët po i nxjerrin nga reanimacioni nëpër korridore. Nuk dihet se çfarë po bëhet, jemi në ankth të plotë sepse dritat nuk po vijnë.”
Një tjetër qytetar shkruan: “JOQ, rast emergjent ju lutem postojeni ta shohë i nderuari Kryeministri ynë. Shikoni çfarë bëhet tek spitali ‘Nënë Tereza’, nuk ka drita dhe kemi njerëzit në reanimacion. S’ka drita në reanimacion.” Edhe brenda sallave.” U hap dera e sallave dhe s’kishte drita brenda. Ana e reanimacionit pa energji. Këtu të vdesin me zor.”
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e gjeneratorëve dhe sistemit të emergjencës, në një repart ku jeta e pacientëve varet drejtpërdrejt nga aparaturat elektrike dhe furnizimi i pandërprerë me energji.
Si është e mundur që Reanimacioni Qendror, zemra e emergjencave spitalore në vend, të mbetet pa energji dhe pacientët në gjendje kritike të përfundojnë në korridore, në vend që të trajtohen në kushte optimale dhe të sigurta?
Deri në këto momente, drejtoria e QSUT-së nuk ka dhënë asnjë reagim apo sqarim zyrtar, as për shkaqet e këtij defekti teknik dhe as për masat e marra për rikthimin e normalitetit dhe garantimin e sigurisë së pacientëve.






