Ju përcjellim informacionin mbi situatën në territorin e Qarkut Shkodër si pasojë e kushteve të motit të ftohtë dhe reshjeve të dëborës.
-
Komisariati i Policisë Pukë raporton për vështirësi në disa segmente të rrugës së Iballës, ku situata paraqitet e rënduar për shkak të sasisë së madhe të dëborës.
-
Bashkia Shkodër njofton se aktualisht nuk ka probleme. Rruga Boge – Theth është e hapur për qarkullim.
-
Bashkia Malësi e Madhe, Bashkia Vau Dejës dhe Bashkia Pukë raportojnë se nuk ka probleme me emergjencat civile në territoret e tyre. Në Pukë, trashësia e dëborës arrin rreth 5 cm dhe rrugët janë të hapura.
-
Bashkia Fushë Arrëz bën me dije se reshjet e dëborës kanë pushuar, ndërsa trashësia ka kaluar 30 cm. Rrugët nacionale janë të hapura, por qarkullimi lejohet vetëm për automjete të pajisura me zinxhirë. Në rrugët rurale po vijon puna për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.
Autoritetet janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin e lirë të mjeteve në të gjithë qarkun.