Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC ka dhënë informacione sot në lidhje me situatën nga zjarret në vend.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, nga ora 09:00, datë 03.07.2025, deri në orën 20:30, datë 03.07.2025, janë raportuar 14 vatra zjarri.

Nga këto janë shuar dhjetë vatra zjarri dhe janë aktive katër vatra.

Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

  • Fshatin Byshek, njësia administrative Shushicë, bashkia Elbasan;
  • Në fshatin Vehçam, njësia administrative Hotolisht, bashkia Librazhd;
  • Ish-fabrikën e çimentos, njësia administrative Nr 1, bashkia Vlorë;
  • Lagjen Nr. 6 Kavajë, bashkia Kavajë;
  • Lagjen Yzberisht, njësia administrative Kashar, bashkia Tiranë;
  • Fshatin Rraboshtë, njësia administrative Kallmet, bashkia Lezhë;
  • Fshatin Moravë, njësia administrative Otllak, bashkia Berat;
  • Fshatin Rrencë, njësia administrative Gur i Zi, bashkia Shkodër;
  • Fshatin Ashtë, njësia administrative Bushat, bashkia Vau-Dejës;
  • Në fshatin Hoçisht, njësia administrative Hoçisht, bashkia Devoll;

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

Qarku Vlorë

Midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq, zjarri i rënë dje vazhdon të jetë aktiv në Malin e Shedenikut mbi fshatin Malcan, në një sipërfaqe me pyll pishe në një distancë shumë të largët dhe të pamundur për t’u arritur në këmbë. Nga puna e forcave në terren është eleminuar rreziku për banesat. Zjarri po monitorohet në distancë nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë në fshatin Malcan.

Qarku Elbasan

Më datë 03.07.2025, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit  në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan. Në vendngjarje u angazhuan gjatë ditës së sotme 6 automjete zjarrfikëse me 18 efektivë nga  Shërbimi vendor i MZSH të bashkive Elbasan, Cërrik, Librazhd, Tiranë dhe Peqin, 12 mjete të tonazhit të rëndë, 5 fadroma, 2 ekskavatorë dhe 1 traktor me zinxhirë nga bashkia Elbasan. Nga Forcat e Armatosura u angazhuan: 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues, 1 traktor me zinxhirë, 35 trupa, 1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit dhe 1 helikopter Cougar. Gjatë ditës u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve. Zjarri vijon të mbetet problematik.

Qarku Kukës

Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësia administrative Gjinaj, Bashkia Has,  ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe. Në terren, janë angazhuar për shuarjen e zjarrit: 10 punonjës të Shërbimit Pyjor , 5 forca të MZSH Has me 1 automjet, 4 forca policore, 7 forca bashkiake dhe 10 vullnetarë. Terreni i vështirë dhe era e mbajnë zjarrin aktiv.

Qarku Tiranë

Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, bashkia Tiranë, në orën 13:30, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Në vendngjarje shkuan 1 automjet zjarrfikës me 4 efektivë nga MZSH Tiranë dhe 3 forca policore. Terreni jo i favorshëm e bën të vështirë kalimin e mjeteve dhe vatra vijon të mbetet aktive.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 232 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 35 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues, dhe 1 traktor me zinxhirë, 1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit dhe 1 helikopter Cougar .

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” për zjarret pothuajse në të gjitha qarqet.

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.
🔺 Në këtë situatë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale.
Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos digjni mbeturina dhe shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Edhe pakujdesia më e vogël mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.
📢 Në rast zjarri, njoftoni menjëherë shërbimet zjarrfikëse.
Vetëm me kujdesin dhe bashkëpunimin e të gjithëve mund të parandalohet përhapja e zjarreve dhe të mbrojmë natyrën dhe komunitetet tona.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu