Vllaznia vjen në këtë fazë pasi ka fituar në dy edicionet e fundit trofeun e Kupës së Shqipërisë, ndërsa në total numëron 8 kupa të fituara. Gjysmëfinalistja tjetër Tirana mban edhe rekordin, duke u shpallur 16 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, kurse Teuta e ka fituar 4 herë Kupën. Egnatia është e vetmja nga katër gjysmëfinalistet që nuk e ka fituar asnjëherë më parë këtë trofe.
Kupa e Shqipërisë, ndeshjet gjysmëfinale:
26 prill ndeshjet e para
Vllaznia – Egnatia
Tirana – Teuta
11 maj ndeshjet e kthimit
Egnatia – Vllaznia
Teuta – Tirana
Pas shortit të hedhur sot, për mediat foli drejtori sportiv i Vllaznisë, Vioresin Sinani. Për të, Vllaznia do jetë në finalen e Kupës.”Mendoj se të katërt skuadrat janë të forta. Vetë kampionati e ka treguar se diferencat janë të vogla. Egnatia ka treguar gjatë kampionatit që ka stabilitet dhe ka lojtarë cilësorë. Por Vllaznia do zhvillojë ndeshje të mira me Egnatian dhe do të shkojë në finale. Shpresoj që ky është momenti që Vllaznia të kualifikohet me Egnatian dhe të dalë në finale me njërën prej fituese të çiftit tjetër. Egnatia ka një ekip me lojtarë mjaft të mirë, por jam i bindur që kësaj radhe është radha jonë”, tha Sinani fillimisht.Ish-bomberi i Superligës tha se skuadra shkodrane do luftojë në të dyja frontet, si në Kupë ashtu edhe në kampionat. Vllaznia e ka fituar dy herë trofeun e Kupës në dy edicionet e fundit.”Duhet bërë maksimumi te të dyja frontet. Nuk di të them cila është më e arritshmja, por di të them që do luftojmë maksimalisht. Kemi 20 e ca lojtarë në dispozicion. Kontingjenti është i mirë, kështu pse të mos pretendojmë në të dyja frontet. Jam te ekipi i zemrës. Roli i drejtorit sportiv? Jam në pozicion që klubi më ka treguar respekt karshi meje. Kështu që ndihem mirë”, tha ish-bomberi shkodran.