Arben Bajraktaraj, aktori dhe regjisori shqiptar me famë ndërkombëtare, i njohur për rolet në mbi 100 filma te Hollywood, mes tyre në superprodhime si Harry Potter dhe Taken, ka dalë publikisht në mbështetje të aktorit Simon Shkreli.

Shkreli u shkarkua së fundmi nga Teatri “Migjeni” në Shkodër me arsyetimin zyrtar të “mungesës së efikasitetit, produktivitetit dhe cilësisë”, por Bajraktaraj e sheh ndryshe. Në një reagim personal, ai kujton bashkëpunimin e tyre gjatë xhirimeve të serialit “BESA”, një nga prodhimet më të suksesshme të Ballkanit, të vlerësuar si nga publiku ashtu edhe nga kritika.

Sipas Bajraktarajt, Simon Shkreli është një aktor i rrallë, me prezencë autentike dhe profesionalizëm të admirueshëm, që mishëron me përkushtim çdo rol.

Ja cfare shkruan ai:

Gjatë periudhës vjeshtë 2020 – verë 2021 kam pasur fat dhe kënaqësi të bashkëpunoj me Simon Shkreli gjatë xhirimive të serialit filmik

BESA, bashkëprodhim i ADRENALIN PRODUCTION ( Beograd) dhe RED PLANET (Londër).

Vetëm sa për informacion të shkurtër, ky krijim është ndër më të shikuarit dhe më të vlerësuarit, si nga kritikët poashtu edhe nga publiku i Ballkanit Përëndimor. Dhe me kohën, ky serial vazhdon të rishfaqet nëpër kanale televizive dhe platforma në shumë shtete, duke kaluar tashmë në një serial kult.

Është edhe i vetmi serial filmik nga Ballkani

Perëndimor, që i është blerë rrëfimi dramaturgjik dhe sipas të cilit janë bërë seriale të tjera filmike në Lindjen e Mesme dhe në Azi.

Në rrugëtimin tim filmik kam hasur natyrshëm në kolegë dhe bashkëkrijues të ndryshëm dhe mund të them se z. SIMON SHKRELI është krijues jashtëzakonisht zemërgjerë, profesionalisht i përkushtueshëm ndaj rolit, ndaj kolegëve dhe një shembull i mirësjelljes ndaj gjithë ekipit të xhirimeve.

Por dua tä theksoj edhe anën kreative tä Simonit, ngase gjatë skenave shumë të vështira, si nga ana fizike dhe ajo emocionale, Simoni dëshmoj prezencë autentike, organicitet thelbësor dhe mishërim tä përkryer të personazhit. Janë pikërisht këto veti, që përbëjnë esencën e identitetit krijues të një aktori të mirëfilltë dhe për mua Simon Shkreli është rrënjësisht i tillë.

Përzemërsisht, Arben Bajraktaraj

Paris, 31 korrik 2025

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu