Trajneri i kombëtares shqiptare Silvinjo ka folur për mediat para ndeshjes me Çekinë. Silvinjo tha se kundërshtari është mjaft i fortë, por u shpreh besimplotë për rezultat pozitiv në Pragë.
“Na pret një ndeshje e vështirë. Çekia është ekip i ashpër, bën tranzicione të shpejta. Ka mesfushorë që mund të shënojnë gola. Sulmuesi kryesor është i fortë. Ne kemi bërë përgatitjet si duhet, nuk futemi në fushë për të barazuar. Futemi në fushë për të bërë më të mirën. Puna në kombëtare është e tillë, nuk ke shumë kohë për t’u përgatitur. Jemi të bindur për ekipin që do zgjedhim. Nuk ka shumë kohë për të humbur, koha ecën shpejt. Jemi të bindur se do futemi në fushë për më të mirën. Herën e parë kishim Manaj dhe nuk kishim Dakun. Tani është e kundërta. Janë lojtarë të fortë, por kanë karakteristika të ndryshme. Gjithë stafi punon në kohë të zgjatur. Kemi lojtarë të mirë që luajnë në nivele të larta. Kemi Bajramin që kaloi te Rangers. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur. Nuk do ketë sens inferioriteti. Nëse shikojmë Çekinë, kanë qenë në Europian, pastaj në Botëror, pastaj në Europian prap. Ne po bëjmë mirë së fundmi. Ky është rrugëtimi jonë”, deklaroi Silvinjo.