Legjendat lindin e rriten në gjirin e popullit që i ka nxjerrë, e sot ne krenohemi për shumë prej tyre, që kanë mbajtur e po mbajnë mbi supe barrën e rëndë të historisë. Po themi vetëm tri fjalë “kënga Lule Borë” dhe kaq mjafton.
Të gjithë e dimë dhe të gjithë e njohim melodinë dhe fjalët e kësaj kënge, po shumë pak, për mos të thënë askush, nuk e mban mend kush e ka shkruar, por sot do ta njohim më mirë jo vetëm autorin e saj, po edhe historinë.
Rasti i kompozitorit Simon Gjoni është më kuptimploti i marrëdhënies së krijuesit me veprën dhe vetë veprës me kohën. Ai ka një galeri të pasur përvojë të kumtit krijues, por ajo që e ka bërë atë kaq të famshëm dhe të përgjithmonshëm në vetëdijen e adhurimit të endshëm të gjeneratave është “Lule Bore”.
Një pavdekësi e merituar, një magji e shndërruar në gjakun dhe ritmin e kohërave. “Lule Bore” më shumë se një këngë, ajo ishte zëfillja e një drithërime shpirti dhe mbeti një dashuri e dëshiruar në tinguj, në nota, në fjalë, në zëra që tendosin ëndjen dhe u bien telave të joshjes me kaq afsh e magji, sikur janë rite të një solemniteti hyjnor.
“Lule Bore” është një këngë, të cilën jetëgjatësia e pakundërshtueshme artistike e ka shpallur pa zyrtarizma burokratike, Himn të muzikës lirike shqiptare. Është kënga “Lule bore”…(!)
Po të pyesësh, njerëz, se cili është kompozitori i saj, shumë syresh, tkurrin supet për të thënë: “Se dimë, por ajo është e të gjithëve”, të tjerë të thonë se, “është një këngë e popullit…”.
Në morinë e përgjigjeve për autorësinë e kësaj kënge, qëndron pikërisht fshehtësia e magjisë dhe e notës së paarritshme që ajo ka të ngjeshur brenda saj dhe që lidhet vetëm me një emër; kompozitorin dhe dirigjentin e mirënjohur Simon Gjoni. Pavarësisht se ka 55 vjet që është kompozuar, “Lule bore”, këndohet si në ditët e para që filloi të transmetohet në Radio-Shkodra.
I lindur ne qytetin e Shkodrës, talenti i Simon Gjonit, spikati që kur ishte i ri dhe kur kontribuoi si drejtues i shumë formacioneve të ndryshme orkestrale dhe vokale të qytetit të tij.
Me një sensibilitet dhe origjinalitet të dukshëm në kompozicion ai krijoi në vitet 1946-1947 një seri këngësh të paharruara që shquhen sa për ndjeshmërinë e tyre sa poetike aq edhe të sinqerta, të figurshme dhe fisnike si, “Lule bore”, “Sy larushës”, “Sytë e tu si drita”, “Fyelli i çobanit”, “Nëna dhe çika” etj. Ishin pikërisht këto këngë të cilat e çuan më tej traditën qytetare të lirikës shkodrane, ndërsa u përhapën me shpejtësinë e dritës në Shqipëri.
Sa më lart vetiu, të vjen në mendje se vlera e muzikës dhe e këngës nuk qëndron tek juritë, por vetëm tek çmimi që populli e dekoron me jetëgjatësinë e saj.
Në Moskë, në vitin 1956 trio Mula, Athanas,Tukiçi, korri sukses të jashtëzakonshëm me këngën “Lule bore”, në Vjenë në vitin 1961 festivali i rinisë u çel me introduksionin e “Lule Borë”. E sot, ajo këndohet së bashku me publikun dhe në Nju Jork, ku koncertet përfundojnë me himnin e këngës shqiptare “Lule-bore”.
Në ish-Bashkimin Sovjetik, Lule borë, ishte kaq e përhapur sa që shqiptarëve iu drejtoheshin:
“A…, ju jeni nga vendi i ‘Lule borë’ ”, kujton këngëtari Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të kësaj kënge në atë kohë, por që nuk e ka harruar pa një interpretim lirik të mirëfilltë në disa koncerte edhe vajza e tij, sopranoja Inva Mula.
I mirënjohuri Çesk Zadeja e konsideronte “një model të papërsëritshëm në lirikën shqiptare”. Sipas familjarëve të tij, trashëgimtarë të veprës, Simon Gjoni ka dhe mbi 50 këngë të të njëjtit stil si “Lule bore”, botuar së fundmi nën kujdesin e bashkëshortes së tij Hermira Gjoni në një album të veçantë.
Po kush ishte Simon Gjoni dhe cila ka qenë veprimtaria e tij?!
Studimet e larta Simon Gjoni i kreu në Akademinë e Lartë muzikore të Pragës, në klasën e dirizhimit simfonik me profesorët V. Smetacek, R. Brook, A. Klima. Në vitin 1954, ai ishte pjesëmarrës si kompozitor në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës, së bashku me kolosët botërorë, si Shoporin, Janson, Rihter, Fisher, Fournet etj.
Në vitin 1956 në sallën “Mestska Knihovna” dirigjon Shubert “Rosamunda” dhe Grieg “Perr Gynt”. Po në këtë kohë dirigjon veprën “Pygmalion” të kompozitorit Jiri Benda. Në vitin 1957 në sallën “Dum Umelco” ai drejtoi “Simfoninë orkestrale për violinë e kontrabas” të K. Dittersdorf. Suksesi i këtij koncerti pasohet nga ai i pjesës simfonike të Franc Listzi-it “Les Preludes”.
Simon Gjoni, është një ndër dirigjentët e parë të orkestrave tona simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të Radio-Televizionit. Ne vitin 1958, kur u emërua dirigjent në TOB, shumë vepra të shquara e gjetën interpretimin e “parë” tek dirigjenti i ri, i cili i interpretoi ato duke zbuluar ngarkesën emocionale të tyre me një ndjeshmëri të lartë.
E përsa i përket pjesës së kompozimit të këngëve, Simon Gjoni ka qenë kompozitori i ri pas viteve të çlirimit, jepte mësim në shkollën e mesme të qytetit. Plot të rinj e të reja i dëgjonin me vëmendje ligjëratat e tij për krijueset e mëdhenj të muzikës botërore.
Ne kishim pak vepra të muzikës së kultivuar, edhe ato pak të njohura. Por kishim një pasuri të madhe të krijimtarisë popullore dhe Simoni fliste shpesh për këto vlera të çmuara…
Një ditë dimri. Dëbora e bardhë kishte mbuluar të gjithë qytetin dhe malet përreth. Ai po rrinte në sallën e mësuesve, sepse atë ore nuk kishte mësim. Po kundronte nga dritarja gjimnazistet që po luanin me topa bore. Në mes tyre edhe “ajo”, lulja e bukur. I lindi aty për aty mendimi dhe dëshira që të shkonte edhe ai mes tyre, por nuk duhej. Ai ishte mësuesi i tyre.
Sytë i mbante gjithnjë tek njëra, tek vajza e gjallë, e shkathët, me sytë e kaltër si deti i thellë, me ato flokët e gjata e të mbledhura në një gërshet të trashë, me ato pantallonat, që e para ndër shoqet i kishte veshur e që ia shtonin hijeshinë e trupit, veçanërisht kur lidhte atë shallin e bukur mbi kokë. Ishte me të vërtetë një lule e këndshme në mes lulesh tjera…
Gjithë qenia e saj iu shndërrua në formën e një “lulebore”, bile edhe topat e dëborës që ajo ia drejtonte shokëve e shoqeve, i dukeshin si lulebore… Dhe u detyrua të priste jo vetëm shkrirjen e dëborës e ikjen e dimrit, por edhe mbarimin e shkollës e marrjen e maturës. Por gjithë asaj kohe, mendjen e kishte vetëm tek ajo, tek “Lulebora”.
-Zef, ti e di, unë dua një vajzë, – i tha një ditë Simoni poetit Zef Pali, sapo doli nga shkolla. Zefi e njihte mirë dhe ia dinte ndjenjat e dashurisë për maturanten e gjimnazit. Atë ditë ndenjën shumë kohë bashkë. Biseduan gjerë e gjatë. Mbas disa ditësh, Zefi i dha një tekst. Simoni e mori dhe, duke e mbajtur në duart që i dridheshin, plot emocion i tha:
-Bukur, shumë bukur, ashtu siç kam dashur vetë…
Shkoi menjëherë në shtëpi, nuk ishte i qetë. Sillej nëpër dhomë e nuk dinte ç’të bënte. Në kokë i vlonin motive të ndryshme melodish. E lexoi tekstin disa herë, deri sa e mësoi përmendësh. E pastaj:
“Tuj kërkue n’ar e n’kodër
Tuj prek lulet t’gjith me dor’
Veç n’nji kopsht të vogël n’Shkodër
Ty të gjeta lulebore…”
Shumë entuziast, vazhdoi:
Je e vogël, por je e plotë
Ty t’kërkoj unë tash sa mot
Tash sa mot un’ ty t’kërkoj
N’gëzim me ty jetën ta shkoj.
Eja, eja lulebor’
Unë me ty do thur kunor’…”
Mirëpo ka edhe një version tjetër për legjendën e kësaj kënge, e cila na vjen e treguar nga Arben Vataj.
“Është një histori e çuditshme, të cilën e kanë marrë përsipër shumë vajza të asaj kohe. Shumë prej tyre kanë thënë se janë pikërisht ato , të cilave u është kushtuar “Lule Bora”. Por vajza e vërtetë, nga lindi ky frymëzim, tani ndodhet në Amerikë.
Në një koncert, që muzikantët shqiptarë kishin organizuar në Nju Jork, ku mes të cilave ishte edhe gruaja e Simon Gjonit, ata kanë kënduar edhe këngën “Lule Borë”
E kanë prezantuar këtë këngë si të Pjetër Gacit, të Prenk Jakovës, apo këngë popullore. Megjithatë, kjo këngë është e Simonit”, – thotë me bindje gruaja e tij Hermira Gjoni..
“Mbaj mend – thotë ajo, – që këtë këngë e kemi kënduar shpesh në Nju Jork, në shumë koncerte. Dhe kur e kemi kënduar në një koncert, erdhën e na uruan shumë njerëz. Mes tyre vjen njëra dhe na thotë “Unë jam Lule Bora!”.
U habitëm dhe u mblodhëm të gjithë përreth duke e pyetur. Ajo na tregoi historinë e krijimit të kësaj kënge. Dhe na rrëfeu. “Unë atëherë kam qenë gazetare dhe punoja në gazetën “Bashkimi. Isha vajzë e re 19-vjeçe. Shkova në Shkodër me një shërbim. Dikush më kishte dhënë një pako për Zef Palin.
Atje ku shkova ta takoja në Shtëpinë e Kulturës, ishte një kopsht i bukur dhe u ulëm të pinim një kafe. Ndërsa unë i flisja për letërsinë, për gazetarinë, etj, ai nxori një letër nga xhepi dhe ndërsa unë vazhdoja të flisja ai çuditërisht shkruante. Kur kishte mbaruar, ma drejton letrën mua dhe më thotë: këtë e kam për ty.
Pastaj këputi një tufë lule bore dhe m’i zgjati mua. U ngritëm për të ikur (unë duhej të kthehesha në Tiranë). Por unë nuk e dija që fati kishte caktuar që unë të jetoja atje dhe të takoja bashkëshortin tim atë ditë.
I thashë, po këto lulet ku t’i çoj? – Hajde më tha – tek ime më se është e sëmurë dhe jepja asaj lulet. Shkova dhe lulet ia fala nënës së tij. Unë më pas u ktheva në Tiranë, dhe vazhdova me të përditshmen time. Ndërsa pas katër ditëve dëgjoj në altoparlantin e gazetës “Bashkimi”: Nga Radio Shkodra do të dëgjoni këngën “Lule Bore”.
Kështu rrëfeu vajza ( Florenca Pali) historinë e vargjeve të “Lule Borës”. Më tej frymëzimi kishte kaluar tek kompozitori. Gruaja e kompozitorit, Mira, rrëfen se si autori i vargjeve, Zef Pali, sa ishte nisur Florenca për në Tiranë ia kishte dhënë vargjet Simonit. “Nëse të frymëzojnë këto vargje, merri dhe muzikoi” – i kishte thënë poeti.
Ndërsa Simoni, menjëherë kishte hedhur muzikën dhe grupi, i miqve të tyre Tish Daija, Zef Gruda, Tonin Rrota, etj, që kishin kompleksin e vogël muzikor në radio Shkodra e kishin incizuar “Lule Borën”.
Ndërsa Florenca e kishte dëgjuar pas katër ditësh në radio. “Asnjëra nga ato vajza që thonë se unë jam “Lule Bora” nuk thotë të vërtetën. Në të vërtetë unë jam ajo që frymëzova ato vargje, e më pas atë muzikë – kishte rrëfyer Florenca, atë ditë pas koncertit në Nju Jork. Kjo është një nga legjendat rreth Lule Borës”.
Dhe kënga “Lule bore” mori dhenë. Ajo u bë si të thuash simbol i një drejtimi të ri, me bashkëkohor, që mori kënga jonë për vite të tëra. U përhap në të gjithë vendin. Studentat tanë që studionin jashtë shtetit e morën me vete. Dhe nuk lanë rast pa e kënduar.
Një student shqiptar qe mësonte ne Moske ne fundin e viteve ’50-të, kujton:
“Isha ulur në stolin e lulishtes, në një nga parqet më të bukura të Moskës. Kishim humbur në ekstaze dhe na dukej se asgjë tjetër nuk ekzistonte përveç ne të dyve. Nata ishte e qetë dhe plot yje. Ishte tamam ashtu siç përshkruhet nata në këngën e bukur ruse “Pod moskovnie vjecera”.
Larg, shumë larg, dukej se dëgjohej një melodi e cila sa vinte e bëhej më e njohur. Ngrita kokën, sepse m’u duk e afërt ajo melodi ende e papërcaktuar, të cilën largësia e sillte disi te paqartë. Por nuk kaluan as pesë sekonda dhe e kuptova menjëherë. M’u rrëngjeth krejt trupi.
Zërat melodioze sa vinin e bëheshin më të dëgjueshme e më të ngrohtë njëkohësisht për veshin e zemrën time tepër të ndjeshme në ato çaste përhumbjeje. Ishte kënga “Lule bore” që po këndohej në shqip. U ngrita për të pasur me pranë atë grup që po e këndonte. Ato po afroheshin drejt nesh, ashtu, në mënyrë të pavetëdijshme. Edhe unë eca drejt tyre, pa i thënë asnjë fjalë Ljubes që kisha pranë.
Eca drejt tyre dhe vura re se një grup studentesh nga vende të ndryshme të botes, po e këndonin në gjuhën time. E ndjeva veten krenar si asnjëherë në jetën time dhe u bashkova me to, duke kënduar ‘Eja, eja, lule bore, se me ty do t´thur kunor…’ “
Kjo ishte historia e njërës prej këngëve që ka vendosur autori në libër, e asaj që quhet himni i Shkodrës, “Luleborës”.