Gjatë periudhës janar-nëntor 2025, në Shqipëri janë regjistruar 104 raste vetëvrasjeje, ndërsa 80 të tjera kanë mbetur në tentativë. Të dhënat zyrtare ngrenë shqetësime serioze, pasi një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve përfshiijne fëmijë dhe adoleshentë.
Ekspertët identifikojnë disa arsye që lidhen me shtimin e vetevrasjeve.
“Adoleshentët kanë pritshëmri të caktuara, kanë dëshira të caktuara, endjejnë veten të rritur, kanë frikëra përballë zhvillimeve ekzistenciale, ndihen të paqartë dhe kjo bënë që të kenë një turbullirë brenda vetes, dhe kjo është arsye që herë pas herë për këto shkaqe të brendshme adoleshentët me mendjelehtësi ndodh që i marrin jetën vetes së tyre. Ankthi, dëshpërimi, depresioni, frikërat, pasiguritë të cilat vinë duke u zhvilluar bëjnë që herë pas herë një njeri i cili gjendet pa rrugëdalje, që nuk është në gjendje të gjejë zgjidhje nga këto vështirësi të momentin për fat të keq gjen rrugë me të gabuar sic është vetëvrasja”, tha sociologu Gëzim Tushi.
Një ndikim të madh në përkeqësimin e situates sipas specialistëve kanë pasur edhe rrjetet sociale, të cilat janë shëndërruar në hapësira toksike.
“Mediat sociale kanë filluar të bëhen toksike dhe kanë padiskutim një ndikim shumë evident në nxitjen e fenomenit të vetvrasjeve. Mediat sociale ka filluar një epidemi, i krahasimit mes njerëzve të cilët demonstrojnë arritjet e tyre, sukseset e tyre dhe kjo bën që herë pas herë të kemi një lloj rivaliteti virtual, pse ky është i suksesshëm dhe ky nuk është dhe kjo krijon një gjendje depresive, deziluzioni, dëshpërimi”, shtoi Tushi.
Ndërkohë sa i përket tentativave për vetëvrasje gjatë vitit 2025, dy raste janë regjistruar te vajza nën moshën 14 vjeç, ndërsa 9 raste të tjera te adoleshentë të moshës 14 deri 18 vjeç. Për parandalimin e këtij fenomeni, specialistët theksojnë rolin kyç të familjes, shkollës dhe institucioneve sociale.






