Gjykata e Lezhës ka dhënë sot masat e sigurisë për tre të arrestuarit në kuadër të operacionit policor të koduar “Second Floor”, i zhvilluar në fshatin Rrilë, pranë superstradës Lezhë Milot.
Para gjykatës u paraqitën të arrestuarit e këtij operacioni, Arben Gjergji dhe Arnold Gjergji (babë e bir), si dhe Gjon Doda, punonjës i OSHEE-së. Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata vendosi masën e sigurisë arrest në burg për babë e bir, ndërsa për punonjësin e OSHEE-së u caktua masa arrest në shtëpi.
Operacioni Second Floor u finalizua nga Policia e Lezhës pas informacioneve operative për kultivim të kanabisit në një objekt trekatësh në fshatin Rrilë. Gjatë kontrollit, policia zbuloi 4 ambiente të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike, të pajisura me ndriçim artificial dhe të furnizuara përmes lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Gjatë operacionit u kapën në flagrancë dhe u arrestuan dy autorët e dyshuar, babë e bir, si dhe një punonjës i OSHEE-së, i dyshuar si bashkëpunëtor. Po ashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 4 punonjës të tjerë të OSHEE-së, për shpërdorim detyre.
Nga kontrollet, policia sekuestroi 8.8 kilogramë kanabis të tharë, mbi 1 mijë bimë dhe fidanë kanabisi, fara kanabisi, 180 gramë kokainë, armë zjarri dhe sportive, pajisje ndriçimi, një automjet dhe aparate celularë.
Sipas hetimeve, kjo veprimtari kriminale dyshohet se zhvillohej prej disa muajsh, ndërsa hetimet vijojnë për përfshirjen e personave të tjerë në këtë veprimatari.






