Nën sloganin ‘Albania All Senses’, afro 11.7 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit të shkuar dhe shpenzuan në total afro 5 miliardë euro, me rritje prej 818 milionë euro krahasuar me vitin 2023. Nga një përllogaritje rezulton se çdo turist ka shpenzuar mesatarisht 426 euro vjet nga 410 euro në 2023-shin.
Përtej shifrave për numrin e turistëve, qeveria synon tashmë turistin e luksit që shpenzon më shumë se kaq, për këtë arsye po orientohen investimet jo më në vila po në resorte multifunksionale. Nga ana tjetër edhe shqiptarët kanë qenë më dorëlëshuar se vjet në shpenzimet e tyre për pushime jashtë vendit, pasi kanë harxhuar 2.7 miliardë euro nga 2.3 miliardë që ishte vlera në vitin paraardhës.
Rekordet e turizmit duket se do të vijojnë edhe këtë vit, pasi numri i të huajve që hyjnë në vend vijon të rritet. Sipas të dhënave të INSTAT mbi 1 milionë të huaj erdhën në Shqipëri në dy muajit e parë të këtij viti, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024.
Turizmi veror këtë vit do të zhvillohet me masa ‘të rrepta’ ndaj informalitetit. Strukturat akomoduese këtë vit do të kenë referencë mbi shfrytëzimin e kapacitetit të tyre.
Bujtinat, Motelet, Hotelet, Resortet, strukturat e trashëgimisë kulturore, blloqet e apartamenteve apo hotelet e shpërndara, kanë një limit minimal shfrytëzimi. Qeveria ka vendosur që nga data 1 maj deri më datë 30 shtator niveli minimal i shfrytëzimit të strukturës akomoduese është 65% e kapacitetit total të saj, pra nën këtë shifër nuk mund të deklarojë shfrytëzim. Pra një hotel me 100 dhoma, nuk mund të deklarojë shfrytëzim më të ulët se për 65 dhoma në muaj. Ndërsa nga data 1 tetor deri në datën 30 prill niveli minimal i shfrytëzimit do të jetë jo më pak se 30 % e kapacitetit të strukturës akomoduese.
Ky kufizim, vjen për shkak të informalitetit të lartë që ka në sektorin e turizmit, pasi hotelet edhe pse janë plot, edhe në pikun e sezonit turistik ata deklaronin se po shfrytëzojnë 50 maksimumi 60% të kapaciteteve të tyre.