Nëse deri para pak vitesh për shqiptarët, Italia ishte “toka e premtuar”, sot gjërat kanë ndryshuar. Tashmë është toka shqiptare që është kthyer në parajsën e italianëve.

Kështu e cilësojnë çifti Antonio Di Dio dhe Marcella Bosio, të cilët prej dy vitesh kanë braktisur Torinon për t’u vendosur në kryeqendrën e veriut. Jeta e tyre e re nuk është ajo e mëparshmja, pasi tashmë rutina ka ndryshuar, kanë krijuar miq të rinj dhe po eksplorojnë vende të reja.

“Është gjithmonë e vështirë të lësh vendin tënd, por ishte më pak e vështirë sesa e menduam. Populli shqiptar është shumë mikpritës. Një herë ndihmon Italia dhe një herë tjetër Shqipëria”, Antonio Di Dio.

 “Vitet e fundit nuk është më ajo që ishte, ka rënë Italia. Prandaj nuk ishte aq i vështirë vendimi për ta lënë. Duke shtuar këtu edhe pandeminë dhe problemet që u rritën, ndryshoi çdo gjë kudo. Shkodra është një qytet i bukur dhe i qetë. Plot diell, i pëlqyeshëm sepse ka gjallëri, dhe qendra është këtu afër”, deklaroi Marcella Bosio.

Arsyeja përse kanë zgjedhur Shqipërinë, pasi studiuan disa alternativa, ishte jetesa e përballueshme.

“Ndërsa po bëhesha gati të dilja në pension, dija edhe shifrën që prisja të merrja, prandaj bëra dy llogari dhe në Itali nuk do t’ia dilja mbanë. Me 1,160 eurot e pensionit nuk mund të jetoja. Isha i kujdesshëm për çfarë merrja në supermarket. Kështu nisëm të kërkonim vendet e mundshme, ku studiuam pak Portugalinë, Tunizinë dhe Shqipërinë. Tunizia ishte larg, në Afrikë, ndërsa në Portugali kishte probleme të tjera. Më pas bëmë një udhëtim informues në Shqipëri në muajin maj, ku pamë disa qytete. Zbuluam Shkodrën dhe në 2022 erdhëm këtu, gjetëm shtëpi, na pëlqeu dhe ja ku jemi”, tha Antonio Di Dio.

Marcella ka marrë edhe nënën e saj 90-vjeçare prej pak muajsh, ndërsa thotë se Shkodra mbetet një qytet fantastik dhe lehtësisht i jetueshëm.

“Që në fillim të dhjetorit kam marrë edhe nënën time këtu. E kam më të lehtë, pasi atje po rriten çmimet. Ajo është shumë e kënaqur këtu, i pëlqen vendi. Del në qytet dhe e shijon. Madje mërzitet kur ka ditë me shi, pasi nuk mund të dalë. U kënaq kur pa qytetin dhe atmosferën këtu”, shtoi ajo.

“Kur u thamë miqve në fillim që do të vinim këtu, mbetën të habitur: ‘Në Shqipëri?’ Tani që u tregojmë, janë mahnitur, madje kanë ardhur të na takojnë dhe u ka pëlqyer pa masë”, tha Antonio Di Dio.

Vitet e fundit, Shkodra është kthyer në një nga qytetet e preferuara për shtetasit italianë që kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën e tyre të re në tokën shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu