Ballina Aktualitet Shqipëria rekord në korrupsion në 2023, indeksi përkeqësohet, ia kalojmë dhe Bosnjës

Shqipëria rekord në korrupsion në 2023, indeksi përkeqësohet, ia kalojmë dhe Bosnjës

Shtetasit shqiptarë mendojnë se shteti i tyre është më i korruptuar në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas rezultateve të fundit të sondazhit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për Barometrin e Ballkanit për vitin 2023.

38% e të anketuarve shqiptarë mendojnë se korrupsioni është një problem i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Ky perceptim është më i larti në rajon në 2023, me një diferencë prej 12 pikë përqindje në krahasim me shtetin e dytë pas nesh, Bosnjë Hercegovina me 26% dhe Maqedonia e Veriut po me 26%.

Për Malin e Zi dhe Serbinë treguesi është 25%, ndërsa shtetasit e Kosovës kanë perceptimin më të ulët të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, me 22%. Mesatarja e rajonit është 27%.

Përqindja e shqiptarëve që mendojnë se korrupsioni është shqetësim për ekonominë e vendit është rritur ndjeshëm në krahasim me një vit më parë, kur treguesi ishte 27% dhe vendi renditej i treti pas Bosnjë Hercegovinës (34%) dhe Serbisë (28%).

Ndryshe nga gjithë vendet e tjera të Ballkanit, vetëm Shqipëria ka pësuar një përkeqësim kaq të lartë të perceptimit të korrupsionit. Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje të lehtë me një pikë përqindje, ndërsa në shtetet e tjera perceptimi i qytetarëve për korrupsionin ka rënë, sidomos në Bosnjë Hercegovinë.

Shqetësimi më kryesor për shtetasit shqiptarë është ekonomia, me 50% të të anketuarve. Gjithsesi, ky nivel është i treti në rajon, pas Maqedonisë së Veriut (55%) e Malit të Zi (51%) dhe në nivele të ngjashme me Serbinë.

Një tjetër problem që është më shqetësues për shtetasit shqiptarë sesa për vendet e tera të rajonit është emigrimi i turrit.

41% e të anketuarve shqiptarë mendojnë se ikja e trurit dhe emigracionit janë problem i rëndësishëm, shumë më i lartë sesa në shtetet e tjera dhe mesatarja rajonale prej 26%.

Shtetasit shqiptarë nuk shqetësohen për krimin, me vetëm 10% të tyre që mendojnë se është problem, më i ulëti në rajon. Rekordin për këtë tregues e mban Mali i Zi me 17%.

Shtetasit e Kosovës kanë një perceptim interesant për problemet që ata kanë mendojnë se ka ekonomia e tyre.

Ndërsa për situatën ekonomike janë më pak të shqetësuarit në rajon (26%, përkundrejt 47% që është mesatarja rajonale), ata mendojnë se një problem shumë i rëndësishëm është sistemi i edukimit, me 34%, nga 11% që është mesatarja rajonale. Në kontrast, vetëm 3% e të anketuarve shqiptarë e shikojnë sistemin e edukimit si një problem kryesor për ekonominë e tyre.

Për të nëntën herë radhazi, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikon rezultatet e Barometrit Ballkanik – sondazhi vjetor i realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks