Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt koordinimit rajonal për të garantuar një treg pune më të sigurt, më të ndershëm dhe në përputhje me standardet evropiane. Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor përshpejtojnë rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, lufta kundër punës së paformalizuar dhe menaxhimi i migracionit të rregullt po shndërrohen në sfida të përbashkëta që kërkojnë zgjidhje të përbashkëta.

Në këtë kuadër, në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë u zhvillua takimi rajonal mes Inspektoratit Shtetëror të Punës të Shqipërisë dhe homologëve të tyre nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes GIZ dhe zbatuar nga organizata ASDO.

Takimi u përqendrua në ndarjen e përvojave, sfidave dhe praktikave të mira në menaxhimin e migracionit të punës ndërkufitar, luftën ndaj informalitetit dhe avancimin e standardeve për punë të denjë në rajon. Një nga qëllimet kryesore ishte forcimi i bashkëpunimit institucional dhe identifikimi i pikave të kontaktit për të përmirësuar komunikimin dhe koordinimin në terren. Z. Eljo Mucaj, Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror të Punës të Shqipërisë, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi duke u shprehur:

“Tashmë është e qartë për të gjithë ne që vetëm përmes një qasjeje të përbashkët rajonale mund të garantojmë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve migrantë dhe të luftojmë në mënyrë efektive informalitetin. Kjo marrëveshje nuk është vetëm një akt formal, por një angazhim konkret për të ndërtuar besim dhe koordinim praktik mes institucioneve tona.”

Në fjalën e saj hapëse, znj. Ada Ilia, Drejtore Ekzekutive e ASDO, theksoi se ky takim nuk është thjesht një forum formal, por një hap konkret drejt ndërtimit të një rrjeti funksional bashkëpunimi, në funksion të aspiratave për integrimin në Bashkimin Evropian:

“Ky projekt është përgjigje ndaj zhvillimeve dinamike të migracionit ndërkufitar në Ballkan dhe synon të ndërtojë ura bashkëpunimi të qëndrueshme, që shkojnë përtej protokolleve dhe krijojnë mekanizma funksionalë për menaxhimin e përbashkët të sfidave.”

Në qendër të diskutimeve ishte prezantimi i një studimi të detajuar mbi punën e pasigurt dhe migrimin ndërkufitar, paraqitur nga znj. Senida Mesi, eksperte politike dhe qeverisjeje. Gjetjet e studimit tregojnë se fenomeni i punës së paformalizuar, mungesa e kontratave dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të lëvizjes së lirë janë probleme të përbashkëta që kërkojnë qasje të koordinuara dhe struktura të përbashkëta inspektimi.

Si përfundim i takimit, palët u dakordësuan për hapat e radhës:

• Emërimi i pikave të kontaktit në çdo vend për lehtësimin e bashkëpunimit praktik;
• Zbatimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi trepalëshe për inspektimet ndërkufitare;
• Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta për ndërgjegjësim mbi migracionin e rregullt dhe të drejtën në punë të denjë.

Ky takim është pjesë e projektit “Përmirësimi i Menaxhimit të Migracionit të Sigurt, të Rregullt dhe të Rregulluar në Rajon” dhe konsiderohet si një hap strategjik për rritjen e kapaciteteve institucionale dhe harmonizimin e standardeve në rajon.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu