Parlamenti i Shqipërisë dhe i Kosovës do të mblidhen me datën 20 dhjetor në orën 11:00 në sallën e seancave plenare të parlamentit të Kosovës në një seancë të përbashkët.
Agjenda e mbledhjes ende nuk është bërë publike, por newspower.al mëson nga burimet pranë parlamentit të Kosovës se në seancë pritet të flasin kryetarët e grupeve parlamentare të të dy vendeve. Sa i takon pjesëmarrjen pritet që nga Shqipëria të shkojnë rreth 70 deputetë dhe nga Kosova rreth 60 të tillë. I pranishëm në këtë takim do të jetë edhe kryeministri Rama dhe me shumë gjasë edhe Albin Kurti.
“Të nderuar kryetarë të grupeve parlamentare. Në datën 20 dhjetor ora 11:00 në Prishtinë, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe e Kuvendit të Kosovës. Në vijim, do t’ju informojmë për agjenden dhe detajet”, thuhet në mesazhin që Kuvendi i Shqipërisë u ka dërguar krerëve të grupeve parlamentare.