Ish kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako është arrestuar ditën e sotme pas urdhrit të SPAK, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve për një leje ndërtimi të dhënë 11 vite më parë. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar edhe 9 urdhër arreste për 9 ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në korrupsion, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash. hetimi ka nisur rreth 1 vit më parë. Fillimisht ka nisur për një ndërtim pa leje të bërë në Durrës, ku dyshohet se janë përfshirë shumë ish zyrtarë, mes tyre edhe Vangjush Dako.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Vangjush Dako disa muaj më parë u mor në pyetje në zyrat e SPAK. Ndërsa ditët e fundit janë marrë në pyetje edhe zyrtarë dhe ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit. Gjatë ditës së sotme, SPAK ka ekzekutuar urdhër arrestin për Vangjush Dakon dhe një ish zyrtar tjetër ndërkohë operacioni është ende në vijim, teksa vijohet me ekzekutimin e urdhër arresteve të tjera.
Në korrik të 2019 Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli non grata Vangjush Dakon. Gjithashtu ai ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe anëtarëve të familjes së tij. Dako ka drejtuar bashkinë e Durrësit në vitet 2007-2019.