Personi që shihni në foto është Hismet Smakaj nga Shkodra, prej shumë vitesh banues në Londër, i kthyer në hero pasi shpëtoi nga mbytja në lumin Thames një fëmijë 7 vjeç.

Top Channel ka mësuar se të shtunën e 17 majit 65-vjeçari shqiptar kishte dalë me bashkëshorten për ecje buzë lumit në zonën e Newham në lindje Londrës.

Panë një vajzë të vogël, e cila kaloi barrierat e pasi bëri disa hapa u hodh në lumë. Pa u menduar dy herë, Hismet Smakaj hoqi rrobat dhe u hodh në lumë duke shpëtuar vajzën pesë metra larg vendit ku ajo u hodh duke e sjellë në breg.

Shumë kalimtarë u mblodhën duke parë shpëtimin e vajzës e duke duartrokitur e dhe me zë të lartë përmendën fjalën…HERO. Pas ardhjes të policisë dhe ambulancave, u mësua se vajza ishte autike.

Hismet Smakaj thotë se “nëse nuk do ta shpëtoja vajzën do më mbetej peng tërë jetën”.

Në rrëfimin e tij, Smakaj u shpreh se “u ndje i kënaqur kur mundi ta kapë vajzë, teksa ishte mbi ujë e nuk shkoi poshtë e të humbte në baltën e lumit”. “Pa asnjë hezitim do ta bëja përsëri atë që bëra”, thotë shkodrani hero Hismet Smakaj.

I pyetur nëse është kontaktuar prej prindërve të fëmijës që shpëtoi, Hismeti tregon se kjo nuk ka ndodhur ende. “Nuk e di nëse vajza vijon të jetë në spital apo ka shkuar në shtëpi. Kam shumë dëshirë të mësoj si është ajo”, deklaron Smakaj.

Ngjarja me protagonist Hismet Smakajn është një rast krenarie për komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe, i anatemuar në mënyrë konstante nga politikanët me prirje ekstremisht radikale dhe media ishullore që i ka kthyer ata në “gjahun” e preferuar, duke ndërtuar stereotipin e gangsterëve më të tmerrshëm se vetë ata britanikë. /top channel

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu