Ka ndërruar jetë nē moshën 81 vjeçare prof.dr Vehbi Hoti, një nga emrat e shquar të arsimit shqiptar. Shkodra humb një emër të nderuar dhe një qytetar model. Newspower i shpreh ngushellimet familjes Hoti.

𝗣𝗥𝗢𝗙. 𝗗𝗥. Vehbi Hoti 𝗡𝗝𝗘̈ 𝗝𝗘𝗧𝗘̈ 𝗡𝗘̈ 𝗦𝗛𝗘̈𝗥𝗕𝗜𝗠 𝗧𝗘̈ 𝗔𝗥𝗦𝗜𝗠𝗜𝗧 𝗞𝗢𝗠𝗕𝗘̈𝗧𝗔𝗥. 

Prof. dr. Vehbi Hoti është një figurë e shquar e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, të cilëve) u ka kushtuar një jetë të tërë. Që nga viti 1965 e gjer më 2018, plot 53 vjet pa ndërprerje i është përkushtuar arsimit në përgjithësi, posaçërisht arsimit të lartë për 49 vjet si pedagog i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Leu në Shkodër më 06.04.1942. Arsimin parauniversitar e kreu në vendlindje. Me 1965 u diplomua në Universitetin  e Tiranës në degët Biologji – Kimi dhe Pedagogji.

Asht një familje qytetare me tradita dhe kontribute në fusha të ndryshme të veprimtarisë, veçanërisht në atë arsimore.

1 gusht 1965 fillon punën në Sektorin e Pedagogjisë në Institutin e Studimeve dhe Botimeve Shkollore në Tiranë. Në shkurt të vitit 1966 u transferua si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik (ILP) Shkodër (sot Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”).

Nga 1977-1981, në kuadrin e asaj që emërtohej “qarkullim”, që në thelb ishte arsye biografike pasi burri i tezes së tij, Hafiz Salih Myftia, ish-Kryemyfti i Shkodrës, me të birin ishin të arratisur politik, largohet nga ILP-ja si mësues në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” dhe emërohet metodist në Kabinetin Pedagogjik të Rrethit Shkodër. Në shtator 1981 rikthehet në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku edhe qëndron deri në daljen në pension në vitin 2013, duke vazhduar si pedagog i jashtëm gjer në vitin akademik 2018.

𝗞𝗢𝗡𝗧𝗥𝗜𝗕𝗨𝗧𝗘 𝗧𝗘̈ 𝗠𝗘̈𝗗𝗛𝗔 𝗡𝗘̈ 𝗙𝗨𝗦𝗛𝗘̈𝗡 𝗘 𝗣𝗨𝗡𝗘̈𝗦 𝗠𝗘̈𝗦𝗜𝗠𝗢𝗥𝗘 𝗗𝗛𝗘 𝗦𝗛𝗞𝗘𝗡𝗖𝗢𝗥𝗘:

𒊹︎Ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në organizimin dhe drejtimin e punës mësimore dhe shkencore të Universitetit të Shkodrës. Për 15 vjet ka qenë anëtar dhe sekretar i Këshillit Shkencor të Institutit të Lartë Pedagogjik, si dhe sekretar i redaksisë së organit shkencor të Institutit “Buletini Shkencor”. Nga viti 1991–2002 anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës dhe që nga viti 2004 e gjer më 2018 ka qenë kryeredaktor i organit të Universitetit “Buletin Shkencor. Seria e Shkencave të Edukimit.”

𒊹︎Një kontribut të veçantë ka dhënë për themelimin, organizimin dhe drejtimin e Fakultetit të Shkencave të Edukimit. Për disa vite ka qenë Përgjegjës i Departamentit të Psikologji – Pedagogjisë dhe për 13 vjet (1991-2003) Dekan i Fakultetit të Shkencave të Edukimit. Ka qenë për kualifikime dhe marrje përvoje në disa shtete: Itali, Austri, Angli, Rusi, Danimarkë, etj.

𒊹︎Ka qenë anëtar i Komisionit të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës (MAK) për problemet e arsimit në ciklin ulët (1981-1990), koordinator i Universitetit të Shkodrës për disa projekte si: për ngritjen  e Qendrës së trajnimit profesional të mësuesve (1998-1999), për iniciativën universitare për zbatimin e filozofisë “Hap pas Hapi” (1997-2001) si dhe për përgatitjen e studentëve/mësuesve për edukimin e të drejtave të fëmijëve në ciklin e ulët (2000-2008) të drejtuara nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, si dhe Qendra Shqiptare e të Drejtave të Njeriut.

𝗞𝗢𝗡𝗧𝗥𝗜𝗕𝗨𝗧𝗘 𝗡𝗘̈ 𝗙𝗨𝗦𝗛𝗘̈𝗡 𝗘 𝗕𝗢𝗧𝗜𝗠𝗘𝗩𝗘.

Krahas veprimtarisë mësimdhënëse, shumë shpejt ai iu përkushtua me pasion punës studimore, duke u bërë modeli i pedagogut që ka harmonizuar dhe ndërlidhur si diçka të pandarë trinomin: mësimin – kërkimin shkencor – botimin.

Ka botuar më se 50 punime në organe të ndryshme shtypi dhe ka marrë pjesë në më shumë se 60 sesione dhe konferenca shkencore.

Drejtimi themelor i punës studimore – shkencore – botuese kanë qenë problemet e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik e psikologjik shqiptar, me studimin e kontributeve arsimore e pedagogjike të disa personaliteteve të shquara si: Naim Frashëri, Zef Jubani, Ismail Qemali, Fan Noli, Aleksandër Xhuvani, Gaspër Beltoja, Sheuqet Muka, Et’hem Osmani, e Halim Shpuza, etj..

Punime me interes janë shkrimet për kontributet e disa kolegëve të shquar të Universitetit të Shkodrës si: Mihal Prifti, Prof. Vehbi Bala, Prof. dr. Jup Kastrati, Prof. dr. Nuri Abdiu, studiuesit e mirënjohur Islam Dizdari e Faik Luli.

Me interes janë pritur punimet e tij për: politikën arsimore të Qeverisë së Vlorës (1912-1914), zhvillimet arsimore në zonën e pushtimit austro-hungarez (1916-1918), politika arsimore e Ataturkut në Turqinë e Re, idetë edukative të Kur’anit, roli i revistës “Zani i Naltë”, për problemet e edukimit 1923-1928 (me rastin e 75 vjetorit të daljes së saj), etj.

Shumë vite i ka kushtuar studimit të kontributit të Luigj Gurakuqit për shkollën shqipe e arsimin tonë kombëtar, zhvillimin e arsimit në Rrethin e Shkodrës gjatë viteve 1965-1980. Në këtë kuadër ka qenë bashkautor i historikut të arsimit në Shkodër që nga lashtësia e gjer më 1980, me dy vëllime, dërguar në Institutin e Studimeve e Botimeve Shkodër.

Është autor i monografive: “Luigj Gurakuqi, për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar” (2002), “Et’hem Osmani – Mësues i Popullit” (2012), si dhe i botimeve të veçanta: “Shkolla e mesme pedagogjike Shejnaze Juka, në 60 vjetorin e saj” (1978), “Përvojë të punës mësimore edukative të shkollave të rrethit të Shkodrës” (1980) dhe “Përvojë e shkollave të Shkodrës për kualifikimin dhe veprimtarinë shkencore” (1981).

Akademiku Prof. Bedri Dedja ka vlerësuar shumë kontributet e Prof. dr. Vehbi Hotit në fushën e studimit të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Pasi u njoh me monografinë e tij kushtuar Lujigj Gurakuqit, shkruan se: “Për mua tanimë, nuk ka asnjë dyshim se Vehbi Hoti është ndër studiuesit më të shquar të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar” (Nga parathënia e monografisë përmendur më sipër f. 9).

Si pedagog ai ka qenë titullar i shumë disiplinave psikologjike e pedagogjike, ka dhënë kontribute të rëndësishme në hartimin e programeve mësimore dhe botimin e teksteve.

Është bashkautor i teksteve të psikologjisë për shkollat e larta: “Hyrje në psikologji” (2016), “Didaktika për degët e mësuesisë të ciklit të ulët” (1990), “Psikologjia moshore për kursin pasuniversitar të psikologjisë së Universitetit të Tiranës” (1989) dhe “Psikologjia për shkollat e larta, në 2 vëllime” (Botim i Universitetit të Tiranës, 1984). Gjithashtu, bashkautor, në dy tekste të pedagogjisë për shkollat e mesme (1972, 1975).

Është një nga njohësit më të mirë të historikut të Universitetit të Shkodrës. Në këtë kuadër është bashkautor dhe redaktor i monografive: “Historiku i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës – 30 vjetori” (1978), “Historiku i fakultetit të ciklit të ulët, 1981 – 2001” (2001), “Universiteti i Shkodrës ndër vite, 1957 – 2002” (2002), “Universiteti  i Shkodrës në 50 vjetorin  e tij” (2007), “Universiteti i Shkodrës në 100 vjetorin  e pavarësisë” (2012).

Ka bashkëpunuar me disa universitete si: me Universitetin e Tiranës për udhëheqje e doktoraturave në fushën e psikologjisë dhe anëtar i Komisionit për Mbrojtjen e Doktoraturave në këtë fushë; me Universitetin e Tetovës në Maqedoni (2002 – 2006) si pedagog i lëndëve “Histori e Psikologjise” dhe “Psikologji e Përgjithshme” si dhe anëtar i Komisionit për pranimin e pedagogëve në degën e psikologjisë së këtij universiteti; me Universitetin e Podgoricës të Malit të Zi, për 14 vite nga 2004 e gjer në 2018 ka qenë pedagog i lëndës së psikologjisë në Programin e Përgatitjes së Mësuesve të Ciklit të Ulët, që nga viti 2007 ka qenë i ngarkuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Podgoricës, si vlerësues i teksteve për shkollat shqipe ku ka recensionuar 15 tekste shkollore për klasat I – IX.

Edhe pas daljes në pension është aktiv në punën studimore dhe atë kërkimore – shkencore, gjatë së cilës përveç teksteve të psikologjisë ka botuar 4 punime për kontributet arsimore pedagogjike për disa figura të shquara të kësaj fushe si: Prof, dr. Shefik Osmani, Prof. Palokë Berisha, Prof. Faik Luli, “Mësues i Popullit”, Prof. Islam Dizdari, etj. Ka marrë pjesë në disa sesione shkencore, si dhe në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për 100- vjetorin e “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër” (2016), etj.

𝗩𝗟𝗘𝗥𝗘̈𝗦𝗜𝗠𝗘 

Për punën mësimore dhe atë shkencore ka marrë vlerësime të larta nga organe shkencore dhe shtetërore. Kështu Senati i Universitetit të Shkodrës në vitin 2013 i ka dhënë titullin “Profesor Emeritus”. Nga tre Presidentë të Republikës së Shqipërisë është dekoruar me: “Urdhri Naim Frashëri i Artë” (2001), me titullin “Mësues i Merituar” (1987) dhe “Medalja Naim Frashëri” (1977).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu