Kalaja e Shkodrës dhe Ura e Mesit vijojnë të jenë ndër destinacionet më të vizituara turistike në veri të vendit, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh, si vendas ashtu edhe të huaj.
Gjatë gjithë vitit, por veçanërisht në periudhën e festave, këto monumente të rëndësishme historike vizitohen nga qindra turistë që zgjedhin Shkodrën për të njohur nga afër historinë, kulturën dhe bukuritë e saj natyrore.
Vizitorët shprehen të impresionuar nga madhështia e Kalasë së Rozafës, e cila ofron një panoramë mbresëlënëse mbi qytetin dhe liqenin, si dhe nga arkitektura karakteristike e Urës së Mesit, një nga urat më të vjetra dhe më të bukura të vendit. Sipas tyre, këto monumente përfaqësojnë jo vetëm vlera të mëdha historike, por edhe atraksione turistike unike.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam dashuruar menjëherë me këtë vend. Kalaja, natyra dhe klima janë vërtet të mrekullueshme,” shprehet një turist.
“Erdhëm për të vizituar këtë zonë dhe mbetëm të befasuar, sidomos nga mikpritja e njerëzve. Janë shumë miqësorë. Do të vizitojmë kalanë dhe edhe vende të tjera përreth,” thotë një tjetër vizitor.
“Një vend shumë i bukur, i rrethuar nga male mahnitëse. Ura e Mesit është tepër antike dhe e veçantë. Dy ditë të paharrueshme për mua në Shkodër dhe Tiranë,” u shpreh një tjetër turist.
Me interesin gjithnjë në rritje të vizitorëve dhe me trashëgiminë e pasur historike e kulturore, Kalaja e Shkodrës dhe Ura e Mesit mbeten pika kyçe të zhvillimit turistik në veri të Shqipërisë, duke e shndërruar Shkodrën në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.






