Shkodra, ka qenë padyshim ndër shekuj, një qytet shumë i lashtë ilir, një qendër e populluar dhe e pasur qysh nga parahistoria, jo vetëm për sa i përket rrethinave afër liqenit, por edhe në të gjithë rajonin kryeqytet i të cilit ka qenë.
Pra, Shkodra ka lulëzuar më shumë se Lezha (Lissus) dhe Duklja (Doclea, Shtet mesjetar serb) gjatë një periudhe, mjaft të gjatë, që përfshin qytetërimin e lashtë. Ka qenë qyteti i parë që gjendet afër Drinit dhe qyteti i dytë romak, i njohur në krahun e kundërt të liqenit, nga ku derdhet Morava.
Emri i lashtë u ka mbetur shqiptarëve të sotëm që vazhdojnë ta quajnë Shkodra (Scodra) si paraardhësit e tyre të largët që Homeri i njihte si γίγαντες, gjigantët dhe që janë gegët e sotëm: Shkodra ka mbetur kryeqendra e Gegënisë shqiptare dhe e vilajetit homonim. Duke u nisur nga emri Shkodra, sllavët e quajtën Skadar dhe italianët Scutari. Turqit e vazhdojnë ta quajnë atë me emrin ilir.
Qyteti ngrihet në skajin verior të rajonit detar shqiptar dhe sot gjendet madhështor dy kilometra larg liqenit; nga ku nisen edhe rrugët e rëndësishme që çojnë drejt Danubit, Adriatikut, Jonit dhe Egjeut që njohën tregtitë me vendet më të largëta; me ilirët, fenikasit, grekët, romakët e bizantinët.
Shkodra, qyteti i parë i Lindjes që ndeshet duke shkuar nga Italia, ka ruajtur krejt një fizionomi bizantine-turke në veçorinë e saj përgjithësisht gege. Fillimisht duket si shumë e çuditshme, me kopshte të shumtë dhe të mëdhenj të rrethuar me mure të larta, me rrugë pa njerëz dhe me ndërtesat e shpërndara në mënyrë jo uniforme. Mund të thuhet se i huaji nuk e ka gjetur ende qytetin, kur ka kohë që ka hyrë brenda perimetrit të qytetit. Kur hyjmë në Shkodër gjatë ditës kemi një përshtypje krejtësisht të ndryshme në krahasim me atë kur hyjmë natën.
Në errësirën e thellë të natës pa yje, kemi një ndjenjë emocionuese dhe fantastike, ndërsa e ndriçuar nga hëna e argjendtë, Shkodra tregon nuancat e saj më të përsosura orientale. Nga rrugët dredha-dredha dhe rrugicat, të heshtura dhe të errëta, dalim në rrugë të gjera e gjallërisht të bardha nga drita e hënës, në të cilat dëgjohet jehona e hapave me ritmin e ecjes së kuajve, së bashku me hijet e çuditshme që projektohen në të gjithë atë bardhësi.
Ndonjë kafe e hapur ku luhet bilardo, përfaqëson jetën që shihet jashtë shtëpive plotësisht të mbyllura, të paarritshme nga shikimet profane. Pas mureve të larta të kopshteve dhe të oborreve zbulohen kostume të panjohura që të sjellin ndërmend butësinë orientale. Qentë hungërojnë, duke turbulluar vetëm heshtjen sovrane. Dita është diçka tjetër: i gjithë qyteti duket sikur ka dalë në rrugë. Burra dhe gra – sigurisht, edhe gratë myslimane – ushtari, prifti e frati madje edhe hoxha turk: të gjithë kanë diçka për të bërë.
Për të parë Shkodrën duhet të ngjitemi në Tarabosh ose në Kodrën e Rozafës, e cila çon në kështjellën e lashtë që ka njohur ata që ishin sundimtarët e qytetit dhe, bashkë me qytetin, edhe të rajonit.
Nga Rozafa shpaloset një pamje e mrekullueshme e qytetit të paanë dhe të populluar, lagjet periferike si Bahçalleku, Tabake, pazari dhe, matanë urës, lagja e magjypëve. Kupolat e xhamive të Shkodrës me njëzet minaret e tyre, ndërtesa ushtarake, shtëpi dhe shtëpiza që përbëjnë qytetin e pafund, gjelbërimi i pasur i fushës kënetore, amfiteatri i maleve që mbivendosen dhe Alpet e mrekullueshme e të frikshme shqiptare, që prej brigjeve të Kirit e të Drinit, shtrihen në anën tjetër në çdo drejtim kah Mali i Zi. Liqeni i paanë vezullues nën rrezet e diellit dhe ujërat e argjendta të lumenjve, ofrojnë një pamje madhështore që me të vërtetë meriton të admirohet.
Sipas Hahn etimologjia e emrit Scodra e ka prejardhjen nga fjala shqipe kodve (kodër), domethënë kodra e rrëpirët që ngrihet nga mesi i fushës dhe që mban përsipër kështjellën, e cila padyshim ka qenë bërthama e parë e qytetit, kur terreni aluvional u depozitua në shumë e shumë shekuj me radhë, kur Shkodra e sotme ende nuk ekzistonte, dhe liqeni i Shkodrës nuk ishte asgjë tjetër përveçse një gji i pamasë moçalor i Adriatikut e shtrihej ndërmjet kepit të Shëngjinit dhe Kepit të Rodonit.
Në mes të këtij harku gjendej një arkipelag i vogël ishujsh gëlqerorë, të cilët sot shquhen si kodra nga formimet aluvionale ndërmjet Bunës dhe Drinit, nga të cilat qyteti i Shkodrës ishte një nga më të vegjlit, por në një pozicion më të mirë pranë Alpeve e përballë detit, për mbrojtjen e rajonit dhe zhvillimin e tregtisë.
Mendimi se Shkodra e lashtë ishte e ndërtuar në Kodrën e Rozafës është vërtetuar nga njëqind shembuj të tjerë të vendeve të rëndësishme në historinë e rajonit, ai që më vonë ishte Labeatium dhe që Roma filloi të nënshtrojë, pas disfatës së Gentit, 168 vjet para Krishtit.
Para kësaj kohe, Shkodra ka qenë një qytet grek, i fortë dhe i pasur, që ruante pavarësinë e saj ekonomike dhe politike; edhe pse Iliria duket se brenda historisë së qytetërimit nuk kishte hyrë veçse si emër. Shkrimtarët e kohës e konsideronin Ilirinë një vend të egër dhe ilirët, të cilët konsideroheshin nga antikët si një racë krejt e ndryshme nga të tjerat në gadishull, gëzonin reputacionin e barbarëve; ata, gjithashtu, sipas zakonit të Trakëve, pikturonin trupat e tyre dhe bënin fli (thernin njerëz për nder të hyjnive).
Kështjella pati një rëndësi të konsiderueshme edhe nën mbretërinë serbe. Një legjendë serbe gjithashtu ia atribuon rindërtimin e saj Mbretit Vukashin dhe dy vëllezërve të tij. Sigurisht, kalaja ishte dëmtuar gjatë periudhës së rënies së Perandorisë Romake.
Meqë serbët u vendosën mbi rrënojat e Oppidum civium Romanorum (siç e quanin historianët romakë për antonomazi Shkodrën), e meqë ishin të bindur për pozicionin shumë të fortë dhe strategjik që ofronte kodra për të mbrojtur Zentën (Senta, Serbi, Provinca autonome e Vojvodinës) bashkë me rajonin e liqenit të Shkodrës, rindërtuan kështjellën.
Sipas legjendës puna e mbretit serb u sabotua për disa vite me radhë nga një Orë e zezë që vinte nga malet për të shkatërruar gjatë natës atë që vëllezërit kishin ndërtuar gjatë ditës. Pas një kohe të gjatë e pas shumë lutjesh, Ora më në fund e lejoi mbretin dhe vëllezërit e tij që së bashku me punëtorët ta përfundonin punën, por me kusht që të tre vëllezërit të angazhoheshin për të sakrifikuar në themele gruan e parë të njërit nga vëllezërit, atë që do të vinte për t’i sjellë atyre bukën.
Këngët sllave dhe shqiptare e përshkruajnë kështu fatin e gruas fatkeqe të Goikos, njërit nga vëllezërit e Vukashinit, të cilës i takoi fati barbar që Ora i kishte caktuar.
Në fakt legjenda dhe historia e kanë zanafillën në kohën kur u vunë themelet e shtëpive të para të qytetit të Shkodrës, në rrëzë të kalasë.
Pas shuarjes së familjes Balsha, banorët e Shkodrës me dëshirën e tyre i kërkuan mbrojtje Venedikut: në vitin 1474 ata përballuan për herë të parë sulmin e ushtrisë turke që udhëhiqej nga Sulejman pasha. Mbrojtja heroike e Antonio Loredano-s u përjetësua në pikturën e Veronese-s që zbukuron dhomën e Këshillit të Madh në Venecia dhe që ka diçiturën e mëposhtme: «Scodra, bellico omni apparatu diu vehementerque a turco oppugnata, a cerrima propugnatione retinetur». (Shkodra, e sulmuar me ngulm nga turqit me gjithfarësoj armësh, e përballon rrethimin e egër, heroikisht.)
Sulltani e rifilloi ofensivën në fillim të qershorit 1478, me një ushtri më të madhe se më parë: kalorësia kishte marrë urdhër që të bënte tym e flakë katundet, ndërsa trupat e këmbësorisë, së bashku me katër mijë jeniçerë, që iu shtuan në mesin e qershorit, kishin detyrë rrethimin e qytetit.
Thuhet se dhjetë mijë deve transportonin municionin dhe topat për trupat e ushtrisë turke. Mbrojtja e të rrethuarve ishte nën drejtimin e Antonio di Lezze . Zjarri filloi më 22 qershor, por rrethimi vazhdoi deri në janar të vitit 1479, derisa arriti shpallja e traktatit që ishte firmosur ndërmjet Portës dhe Republikës me urdhër për t’ia dorëzuar kështjellën trupave osmane.
Mbrojtësve u dha mundësia të tërhiqeshin duke ruajtur nderin e armëve. Kur Antonio di Lezze u largua, duke e lënë kështjellën që kishte mbrojtur në mënyrë heroike, nuk kishte me vete veç 450 burra dhe 150 gra që e ndoqën atë në Venecia duke marre më vete reliket, enët e shenjta, artilerinë dhe atë që kishte mbetur nga pasuria e tyre. Historiani Hammer meriton të përmendet për historinë që përshkruan. Kjo faqe e rëndësishme por pak e njohur e lavdisë së Venedikut duhet t’i bëjë të mendohen italianët.
Pas largimit të Antonio di Lezze, mbetën muret e kështjellës për të demonstruar aftësitë e punëtorëve dhe të ushtarëve të Republikës që përshtatën për mbrojtje njërën nga fortesat më të fuqishme, kundër së cilës pa shpresë u përplasën furia dhe forca e gjysmëhënës. Por luani i Shën Markut që rrinte duke ruajtur mbi derën kryesore u zhduk nën goditjet e kazmës së turqve dhe asnjë kujtim, megjithëse shumë e kam kërkuar, nuk ka mbetur nga emblema e fundit e Serenissima-s. Degrand, i cili vizitoi kështjellën pesëmbëdhjetë vjet më parë, shkruan:
«Kisha që ka mbetur është transformuar në xhami; rrufeja, kohë pas kohe e ka goditur dhe rrëzuar minaren; turqit superstioz e kanë braktisur dhe e kanë transformuar në një magazinë, hekurat e bukur të punuar me teknikën e ferobatutit venecian zbukurojnë akoma njërën nga dritaret e saj. A i ishte kushtuar Shën Lazrit apo Shën Shtjefnit, patronit të Shkodrës? Askush nuk e di; nuk ka mbetur më asgjë tjetër për të parë në këtë vend ku ditë ankthi janë jetuar: ndoshta, ndonjëherë, nën atë tokë të mbuluar me bar të dendur me siguri mund të gjejmë kujtime interesante».
«Guvernatorët, duke mos i besuar shqiptarëve në përgjithësi, kanë jetuar për shumë vite në kështjellë ku edhe kanë kryer shërbimet e tyre administrative; të rrethuar nga trupat ushtarake dhe me topat e drejtuar nga qyteti. Nuk ka mbetur asgjë tjetër në fortesë përveç të dënuarve në pritje të momentit kur ata do të dërgohen në internim, dhe të ushtarëve që unë i pashë duke shërbyer pa entuziazëm e që zbatonin rregulloret e ligjet e kohës».
Edhe sot, pas mureve të larta të kopshteve, mund të kuptohet mirëqenia e popullsisë, megjithëse e zvogëluar. Në të kaluarën Shkodra ka qenë gjithashtu e pasur dhe e begatë dhe sidomos trafiqet me Venedikun e kishin ngritur atë në një nivel të lartë ekonomik. Nga kjo madhështi e kaluar, kemi sot një provë të dukshme në pazar, për të cilin specialistët na sigurojnë se është shumë interesant.
Pazari i Shkodrës gjendet rreth tre kilometra larg qytetit në drejtim të vardarit të Bunës dhe Liqenit, në këmbët e kodrës, ku gjendet kështjella: ka një rrugë kryesore dhe disa anësore me një labirint rrugësh të ngushta dhe një rrjet rrugicash që në kohën e fryrjes së ujërave të liqenit mbeten të përmbytura.
Në pazar, zhvillohet jeta tregtare e qytetit dhe e zonës malore të Shkodrës, të cilën shqiptarët e quajnë Malësi. Vëzhguesi ka material të pashtershëm për studimet e tij sepse Shkodra bën pjesë me të vërtetë me Lindjen për sa u përket kostumeve shumë të larmishme të fiseve të saj, dhe tregtari e gjen të gjithë jetën tregtare të Lindjes të përqendruar në këtë pazar.
I huaji që viziton pazarin të mërkurën, ditën e tregut, kupton se interesi është i dukshëm, por këtë ditë shumë të mbushur me njerëz dhe plot gjallëri këshillohet të bëjmë vetëm vëzhgime, ndërsa ditët e tjera, më të qeta, mund të shërbejnë për blerjet e produkteve origjinale të vendit. Disa prej këtyre produkteve janë të veçanta e interesante, si punimet e arit dhe të argjendit, ato janë shumë antike dhe meritojnë një konsideratë artistike të lartë.
Dyqanxhitë e kalojnë gjithë ditën në pazar, nga mëngjesi deri në darkë, derisa të kthehen në qytet, ku banojnë me familjet e tyre. Natën, pazari lihet në dorë të ushtarëve që e kanë vendrojën e tyre te porti, afër doganës dhe urës. Për më tepër, edhe nëse dikush ka dëshirë të qëndrojë, asnjë ngrehinë nuk mund të banohet në pazar sepse, duke qenë pothuajse të gjitha ndërtesat prej druri, shkëndija më e vogël mund të zhvillojë një zjarr që do të shkaktonte dëme të pallogaritshme. Në ato ndërtesa nuk ka asnjë rehati as nga ata edhe më të thjeshtat për shijet lokale.
Të zotët e vërtetë të pazarit janë shqiptarët, mysliman dhe të krishterë; ato pak tregtarë të huaj, italianë, austriakë, malazezë dhe grekë i kanë dyqanet e tyre në qytet. Në përgjithësi, shkodranët janë pasardhës të familjeve që kanë ardhur në kohët e shkuara nga çdo pjesë e malësisë gege ose të Zadrimës në kërkim të fatit ose për t’i shpëtuar hakmarrjes ose janë rezultat i emigrimit mysliman nga Mali i Zi, veçanërisht nga provincat që turqit u detyruan të braktisnin e t’ua linin gradualisht Petroviçëve pas luftërave kundër atij vendi: jo pak prej tyre e kanë prejardhjen nga familjet e zyrtarëve dhe të ushtarakëve osmanë.
Një numër i vogël i familjeve janë hebrenj, ka edhe pak arabë; numrat që bien në sy më shumë janë italianët, austriakët dhe grekët: megjithëse pas shumë kohësh familjet malazeze, nënshtetas ose jo të qeverisë së Cetinës, mbajnë vendin e parë, menjëherë pas popullsisë shqiptare.
Studiuesit që do të mund të jenë në gjendje të bëjnë kërkime nëpërmjet traditave, pa dyshim do të gjejnë edhe në Shkodër dhe në rrethina, ashtu si në pjesën tjetër të Malësisë, shumë pasardhës të atyre familjeve që Roma pati dërguar dikur si kolonë në Ilirinë e pushtuar dhe që ende mbijetojnë sot në numër të madh në Shqipërinë qendrore dhe në Epir.
Marrë nga Revista ITALIA!, Scutari d’Albania, A. BALDACCI
Përkthimi në gjuhën shqipe: Gino LUKA
…
Rreth autorit/ Antonio Baldacci (Bologna, 1867-1950), autori i artikullit në vijim “Shkodra e Shqipërisë”, ka qenë një botanist italian dhe gjeograf, specialist i studimeve etnografike, politike dhe socio-ekonomike.
Që nga viti 1925 Baldacci u interesua kryesisht për Shqipërinë, jo vetëm duke u marrë me studime dhe botime të pavarura por, që nga viti 1928, bashkëpunoi me institucionet lokale në fushën shkencore dhe politike.
Nga viti 1931 deri në vitin 1939 ka qenë konsull i përgjithshëm nderi i Shqipërisë në Bologna; në vitin 1942 mori pjesë në Këshillin administrativ të drejtorëve të Qendrës Studimore të Shqipërisë pranë Akademisë Italiane. Deri në vitin 1943 ka qenë anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë dhe Këshilltar kulturor i Luogotenencës së Përgjithshme në Shqipëri.
Ka lënë rreth 250 botime, përfshirë artikujt e botuar në revista dhe në vepra të ndryshme: ndër më kryesoret janë Itinerari albanesi (Itineraret shqiptare), Romë, Shoqëria Gjeografike Italiane, 1917; L’Albania (Shqipëria), Roma, Instituti për Evropën Lindore, 1929; Scritti Adriatici I (Shkrimet Adriatike I), Bologna, Kompozitorët, 1943, bocat e veprës së papublikuar «Leonardo da Vinci e il mondo delle piante» (Leonardo da Vinçi dhe bota e bimëve).
Nga Baldacci kemi trashëguar gjithashtu një arkiv shumë të pasur dhe bibliotekën e tij personale, që ruhet në Bibliotekën publike në Archiginnasio di Bologna, dhe natyrisht koleksionet e bimëve që gjenden në muzetë e Italisë dhe të huaj.