Në mjediset e këshillit të qarkut Shkodër, mori zyrtarisht jetë implementimi i projektit SMARTMOBAIR në territorin e Bashkisë Shkodër. Projekti, pjesë e një iniciative rajonale që përfshin shtatë vende në rajonin Adriatik–Jonian, synon të sjellë Shkodrën në standartet më të mira europiane për menaxhimin e trafikut dhe cilësinë e mjedisit.

Akt marrëveshja u nënshkrua nga kryetari Edmond Ndou, nënkryetari i bashkisë Alban Preka dhe përfaqësuesi i kompanisë së transportit publik Melidion Dervishi, në praninë e përfaqësuesve të ministrisë së transportit, si dhe kompanive të tjera që operojnë në territor. Në fjalën e tij Ndou e cilësoi një hap të rëndësishëm këtë që po hidhet, që i bashkohet punës së nisur më herët nga bashkia, me finalizimin e planit të mobilitetit të Shkodrës.

Autoritetet nënvizuan rëndësinë e përfshirjes aktive të qytetarëve në këtë proces, duke e bërë lëvizjen me këmbë, biçikletë dhe transport publik jo vetëm alternativë, por edhe zgjidhje kryesore.

Projekti që zbatohet për Shqipërinë në kryeqëndrën e veriut, synon ta kthejë Shkodrën në një qytet model për mobilitetin e zgjuar urban.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu