Shkodra: Djepi i demokracisë ndëshkuar nga kulisët!
Shkodra me të vërtetë është heroike. Që nga vitet ’90 e deri më sot, ky qytet ka mbajtur krahun e Partisë Demokratike duke i qëndruar besnike pavarësisht të mirave dhe të këqijave që kanë ardhur me këtë zgjedhje. Por, duhet të pyesim veten: Sa e sinqertë ka qenë fraza “Djepi i Demokracisë” për Shkodrën?
Në të gjitha qarqet e vendit, asnjë emër nga Shkodra nuk shihet si drejtues politik, dhe asnjë drejtues i lartë partiak në PD nuk vjen nga ky qytet. Kjo përbën një padrejtësi të dukshme për një qytet që ka dhënë kaq shumë për partinë dhe për demokracinë në Shqipëri.
Nuk e di kush dhe pse po e ndëshkon Shkodrën në këtë mënyrë, por është e qartë se çdo gjë është pjesë e lojërave të ndyra të kulisëve, të cilat zhvillohen brenda partisë dhe jo kundër Ramës. Lufta e vërtetë duket se është bërë brenda radhëve të PD-së, ku njerëz të caktuar punojnë për të margjinalizuar figurat e Shkodrës.
Por Shkodra nuk duhet të zhgënjehet. Shpresoj që ky qytet të dalë me rezultate maksimale në zgjedhjet e ardhshme, duke treguar forcën dhe vendosmërinë e tij. Dhe atëherë, ndoshta ata që sot e anashkalojnë, do të ndihen të turpëruar nga vetja për mënyrën se si kanë trajtuar një qytet që ishte i krijuar kur gjysma e Shqipërisë ishte ende fshat. Ky ndëshkim i Shkodrës, ndëshkim i figurave të tij të shquara, duhet të marrë fund.
Nga Rubin Dashi, FRPD