Fqinjës e 60-vjeçarit, i cili humbi jeten një natë më parë në Shkodër për shkak të zjarrit që i përpiu shtëpinë, thonë se ambulanca kishte mbërritur me vonesë. Fqinjët thonë se gruaja e tij kishte pësuar djegie të mëdha dhe më pas është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
“Këtu ndodhi zjarri. Kanë ardhur njerëzit për pune, e ka pa flakën. Gruaja ka dalë e djegur e kanë çuar në spital. Kapllani ka vdek brenda. Se dimë si ka ardhur flaka, jemi zgjuar prej gjumi. Kushtet i kanë pas të këqija. Ambulanca ka ardhur me vonesë, policia ka ardhur më shpejt. Zjarrfikëset kanë ardhur me gjithë policinë. E dëgjova zhurmën, kur dola jashtë pashë flakën e madhe. Katastrofë. Nusja ishte djeg komplet, prit ambulancën. Ka ardhur vonë.
Vetëm policia ka ardh shpejt, ambulanca e zjarrfikësja ka ardhur me vonesë. Ajo është shumë keq. Është djeg krejt”, thonë fqinjët.
Ndërkohë, drejtori i spitalit të Shkodrës, Senad Hallunaj thotë se ambulance ka shkuar në kohë. Në një deklaratë për mediat, Hallunaj u shpreh se ambulance ka shkuar pas 7 minutash në vendngjarje, menjëherë pasi mori njoftimin nga zjarrfikësja.
“Rreth 7 minuta nga njoftimi që ka marrë nga zjarrfikësja, ambulanca ka mbërritur për 7 minuta”, tha ai.
60-vjeçari Kapllan Nasufi humbi jetën mbrëmë për shkak të zjarrit që ra në barakat e komunitetit rom pranë Urës së Bunës. Ende nuk dihen arsyet e zjarrit. Fqinjët tregojnë se kushtet e tyre ekonomike ishin shumë të vështira. 60-vjeçari ka 2 djem të martuar, ndërsa sipas fqinjëve ai punonte në Bashkinë e Shkodrës për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Ka dy djem të martuar. E shoqja nuk punonte. Ai punonte pastrues rrugësh”, tha një fqinje.
Bashkëshortja e tij, Naslie Nasufi është dërguar në spitalin e Traumës dhe po merr mjekim më të specializuar.