Më 8 shtator, në Bashkinë e Shkodrës do të çelet zyrtarisht viti i ri shkollor, i cili do të zhvillohet në 107 institucione arsimore të sistemit publik dhe privat parauniversitar.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se numri i nxënësve është më i ulët krahasuar me një vit më parë. Sipas regjistrimeve, rreth 200 nxënës më pak do të ulen këtë shtator në bankat e shkollës. Megjithatë, autoritetet thonë se shifrat nuk janë përfundimtare, pasi regjistrimet vijojnë ende, veçanërisht për fëmijët që rikthehen nga emigracioni.
Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër, Brisela Kadija, bën me dije se një vëmendje e veçantë gjatë muajve të verës i është kushtuar përmirësimit të infrastrukturës arsimore, në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës.
Ndërkohë, sfidat për vitin e ri shkollor mbeten të shumta. Sipas Kadijas, rritja e sigurisë në shkolla, kufizimi i përdorimit të celularëve brenda klasave dhe ofrimi i shërbimeve më cilësore për nxënësit me aftësi ndryshe janë disa nga objektivat kryesorë për këtë vit.