Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka ndërmarrë disa masa ndaj qytetarëve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe ligjin në fusha të tjera.

Arrestim për aksident të shkaktuar në gjendje të dehur
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin N. E., 28 vjeç, banues në fshatin Muriqan. I riu, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, humbi kontrollin dhe u përplas me mjetin që drejtohej nga shtetasi T. P., 39 vjeç, banues në fshatin Ishull. Si pasojë e aksidentit, pasagjeri P. K., 60 vjeç, pësoi disa dëmtime.

Procedime për shkelje në qarkullimin rrugor
Në vijim të kontrolleve, policia ka referuar materiale në Prokurori për procedim në gjendje të lirë ndaj shtetasve:

  • B. M., 75 vjeç, banues në Tuz, i kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
  • K. P., 20 vjeçe, banuese në fshatin Tamarë, e cila, duke drejtuar automjetin e saj, humbi kontrollin dhe u përplas me bordurën anësore të rrugës, duke pësuar dëmtime të lehta.

Procedim për përvetësim të pronës me dokumente të falsifikuara
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit P. D., 72 vjeç, banues në fshatin Rranxa. Kallëzimi është bërë nga shtetasi Gj. M., 83 vjeç, i cili pretendon se 72-vjeçari i ka përvetësuar një sipërfaqe toke me dokumente të falsifikuara.

Automjet i blinduar dhe pajisje policore të dyshimta
Gjithashtu, është proceduar shtetasi I. T., 41 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar një automjet të blinduar. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi pajisje që ngjajnë me ato të përdorura nga forcat e rendit, si radio komunikimi, fenelina dhe shenja dalluese policore.

Punime ndërtimi pa leje
Ndërkohë, një tjetër procedim penal ka nisur ndaj shtetasit A. P., 58 vjeç, banues në fshatin Berdicë, për kryerjen e punimeve ndërtimore pa leje përkatëse.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu