Pedagogët e Universitetit të Shkodrës nuk do të hyjnë në grevë urie. Kryetari i Sindikatës, Petër Saraçi u shpreh të premten kundër propozimit të disa prej pedagogëve në Tiranë.
Universitetet e tjera në Tianë kanë propozuar dhe miratuar që të protestohet përpara parlamentit. Ne e kemi të vështirë diçka të tillë, por do të vazhdojmë siç kemi qenë deri tani. Unë kam qenë kundër pjesëmarrjes në grevë urie. Kam vendosur një metodologji ndryshe për të drejtuar protestën këtu në Shkodër dhe besoj se do të jetë e suksesshme’ u shpreh Kryetari i Sindikatës Petër Saraçi.
Ai njoftoi se mes pedagogëve të disa universiteteve po shqyrtohet mundësia për të bojkotuar sezonin e provimeve nëse nuk do të ketë zgjidhje të kërkesave nga Ministria e Arsimit.
‘Është propozuar edhe në universitete të tjera që të vazhdohet me bojkotimin e procesit të provimeve në të ardhmen. Këto janë pjesë që i përkasin ditëve në vijim’ u shpreh Kryetari i Sindikatës Petër Saraçi.
Të hënën në Universitetin e Shkodrës do të mblidhet senati dhe bordi i administrimit. Në bazë të vendimeve të tyre do të rishikohet dhe forma e protestës.
‘Është propozuar që të vazhdojë procesi mësimor, por duke krijuar data të përbashkëta për të zhvilluar protestën.’ u shpreh Kryetari i Sindikatës Petër Saraçi.
Përmes protestave e bojkotit të procesit mësimor pedagogët kanë kërkuar rritje të pagës me 50% dhe shtim të buxhetit për kërkimin shkencor.






