Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, u parandalua përshkallëzimi i një konflikti me armë zjarri.
Një 54-vjeçar u konfliktua me pronarin e lokalit dhe disa shtetas të tjerë, u largua dhe u rikthye me një armë zjarri kallashnikov. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij.
Gjithashtu, në gjendje të lirë u procedua edhe pronari i lokalit ku nisi konflikti.
Arma e zjarrit kallashnikov dhe municioni luftarak u sekuestruan nga Policia.
Pas marrjes së njoftimit nga Salla Operative për një konflikt në lagjen “Manush Alimani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër organizuan dhe ndërhynë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Vedat Hoxha, 54 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosje”.
Pas një konflikti me pronarin e lokalit, shtetasin G. H., 36 vjeç, 54-vjeçari ishte larguar dhe më pas u rikthye në lokal me një armë zjarri kallashnikov. Në momentin e rikthimit të tij, shërbimet e Policisë ndërhynë dhe e neutralizuan atë ndërsa mbante armën e zjarrit në dorë.
Në pamundësi për t’u larguar, ai hodhi armën në tokë. Shërbimet e Policisë e prangosën menjëherë dhe sekuestruan armën dhe municionin luftarak.
Në vijim të veprimeve, u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi G. H., 36 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu