Shkodër/ Operacioni “Ndërmollasi 2”, zbulohen 11 armë, mbi 5 mijë fishekë dhe 25 kg kanabis, arrestohen 2 persona (EMRA)

Strukturat e DVP Shkodër kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “NDËRMOLLASI 2”, në kuadër të goditjes së veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në banesën e shtetasit R. M., 29 vjeç, në fshatin Ura e Shtrenjtë, i arrestuar më herët, më datë 14.09.2025, në kuadër të operacionit “Ndërmollasi”. Si rezultat i kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

  • 11 armë zjarri;

  • 5506 fishekë luftarakë;

  • 7 krehra për armë zjarri automatike dhe 6 krehra për pushkë;

  • 35 metra fitil detonator;

  • 25.2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;

  • 2 palë targa të huaja, njëra e Gjermanisë dhe tjetra e Austrisë.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan edhe shtetasit Sami Meaj, 29 vjeç, dhe Selim Myrtja, 31 vjeç, të dy banues në fshatin Ura e Shtrenjtë. Sipas hetimeve paraprake, ata dyshohet se janë posedues të armëve dhe lëndës narkotike, si dhe bashkëpunëtorë të shtetasit R. M.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Latest articles

Related articles

spot_img
Enable Notifications OK No thanks