Autoritetet veterinare shqiptare kanë konfirmuar rastin e parë të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në vend. Sëmundja është identifikuar në një fermë mbarështimi dhish në njësinë administrative Postribë, qarku Shkodër. Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar nga laboratori referencë i Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.
Pas konfirmimit të rastit, janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e parashikuara në legjislacionin përkatës dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, me qëllim kontrollin, izolimin dhe menaxhimin efektiv të situatës në terren.
𝐔𝐝𝐡ë𝐳𝐢𝐦𝐞 𝐩ë𝐫 𝐦𝐛𝐚𝐫ë𝐬𝐡𝐭𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐞 𝐤𝐚𝐟𝐬𝐡ë𝐯𝐞 𝐭ë 𝐢𝐦𝐭𝐚
U bëjmë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) që të zbatojnë masat parandaluese dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Në çdo rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje e papritur, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal përkatës ose të kontaktohet numri i gjelbër falas: 0800 3366.
𝐒𝐪𝐚𝐫𝐢𝐦 𝐩ë𝐫 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐮𝐧
Theksojmë se Murtaja e Ruminantëve të Vegjël nuk është sëmundje zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtes së Bimëve, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, do të vijojë ndjekjen e situatës me seriozitet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim.
https://akvmb.gov.al/𝐍𝐉𝐎𝐅𝐓𝐈𝐌-𝐙𝐘𝐑𝐓𝐀𝐑/