Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka ndërmarrë një sërë veprimesh ligjore ndaj disa shtetasve të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Arrestim për vjedhje
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin K. L., 23 vjeç, banues në Shirokë, pasi u konstatua duke vjedhur motorin e një varke peshkimi në pronësi të shtetasit M. M., 63 vjeç.

Procedim për shkelje ekonomike
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori për shtetasin A. Z., 26 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re. Ai po procedohet në gjendje të lirë për veprat penale “Fshehje e të ardhurave” dhe “Ushtrim i aktivitetit tregtar i pa liçensuar”. Sipas Policisë, A. Z. u konstatua duke transportuar pasagjerë me një furgon të pa licensuar, pa numër NIPT-i dhe të paregjistruar në Institucionet e Tatim-Taksave.

Aksident për shkak të mungesës së lejes së drejtimit
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori për shtetasin B. Ll., 52 vjeç, banues në Pukë, i cili po procedohet në gjendje të lirë. Ai, duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me një sipërfaqe shkëmbore anës rrugës.

Makina digjet nga shkëndijat elektrike
Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Guerile” të Shkodrës, një automjet tip “Benz” në pronësi të shtetasit M. K., 36 vjeç, është djegur plotësisht. Nga hetimet paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Policia vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të këtyre ngjarjeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu